Mbrëmja e 15 korrikut të këtij viti mbetet një kujtim i hidhur për një grup turistësh izraelitë që kishin ardhur në Shqipëri për ta kaluar disa ditë pushime. Të akomoduar në një prej hoteleve të Vlorës përfunduan njëkohësisht në spital me të vjella dhe diarre.
Njëra prej tyre, ka rrëfyer ngjarjen për median izraelite Mako. E quajtur Rahel, banore e Kfar Sabës në Izrael, ajo tregon se kishte qenë vajza e saj e vogël, e cila, nga dhoma e hotelit “Priam” ku ishin akomoduar, kishte shprehur shqetësimin se nuk mund të lëvizte këmbët. Pak më pas, sipas saj, të gjithë familjarët pësuan debulesë në të njëjtën kohë.
Turistja izraelite e quan dështim tentativën e mjekëve të autoambulancës për t’i rikthyer në gjendje normale shëndetësore me anë të një serumi në dhomën e hotelit.
Raheli pretendon se në spital takuan edhe turistë të tjerë që ishin akomoduar në hotelin “Priam”, të cilët kishin simptoma të ngjashme. Nga bashkëbisedimi me ta dhe jo vetëm, pas normalizimit të situatës, Raheli thotë se “kuptuam se me shumë gjasa bëhej fjalë për një rrjedhje azoti nga sistemi i ajrit të kondicionuar. Njërit prej turistëve, i cili u dërgua në një spital tjetër, i thanë pikërisht këtë: se kishte thithur azot të çliruar. Ai na tregoi se vëllai i tij i cili kishte qenë në dhomë, kishte ndier një erë të fortë nga kondicioneri dhe më pas kishte humbur ndjenjat”,- thotë Raheli për median izraelite, duke u ankuar dhe për mungesën e interesit nga stafi i hotelit.
Por nga ana e tij, Hoteli “Priam” ka ofruar një tjetër panoramë, në një reagim për të njejtën media izraelite Mako, duke deklaruar se vetëm mysafirët e pesë dhomave raportuan simptoma.
Sipas hotelit, u kontrolluan në mënyrë të detajuar procedurat e sigurisë ushqimore, sistemi qendror i ajrit të kondicionuar dhe të gjitha sistemet e tjera operative, pa u konstatuar defekte teknike apo parregullsi në funksionim. Po ashtu, sipas informacionit të marrë nga autoritetet, janë hetuar edhe faktorë jashtë hotelit, pasi incidente të ngjashme janë raportuar edhe në zona të tjera të qytetit.
Sa i përket dyshimeve të turistëve izraelitë se ishin helmuar nga gazi i kondicionerit, hoteli “Priam” e përjashton si shkak. “Sipas informacionit paraprak të autoriteteve, në mbrëmjen kur u zhvillua ndeshja Spanjë–Francë u përdorën në masë fishekzjarrë dhe balona me helium në pjesë të ndryshme të qytetit”,- thuhet në reagim.
Autoritetet vendore në Vlorë kanë deklaruar se ende nuk është arritur në një konkluzion për shkaqet e që çuan në problemet shëndetësore të turistëve izraelitë, ndërsa hetimet vijojnë nga institucione të ndryshme të përgjegjësisë.



