Në PD nuk është problem Noka, Boçi apo të tjerë, lideri duhet të marrë përgjegjësitë

spot_img
Advertisements

nga Fitim Zekthi

Kriza më e thellë e partive tona, që përkthehet më pas në krizë të thellë të qeverisjes, është humbja e plotë e kapacitetit për të kërkuar përgjegjësi, sidomos nga drejtuesit, nga kryetarët. Kryetarët janë të vetmit që nuk kritikohen, që nuk fajësohen, që nuk iu kërkohet të mbajnë përgjegjësi. Gjithkush tjetër ka faj, gjithkush tjetër është fajtor, gjithkush tjetër është problemi. Kryeministri nuk ka faj, fajin e kanë ata që janë poshtë, ata që abuzojnë me tenderat, me detyrën, ata që “hanë kumbulla…”
Në Partinë Demokratike të Shqipërisë mund të jetë kushdo problemi, mund të jetë gjithçka problem, por lideri kurrë. Zgjedhjet janë humbur se i vjedh qeveria, populli nuk del në protestë se është apatik apo është i blerë, apo është i frikësuar, organizimi çalon se fajin e ka Flamur Noka, komunikimi publik çalon se problem është Luçiano Boçi, degët janë të dobëta sepse kanë kryetarë servilë të Flamur Nokës apo i ka emëruar Flamur Noka sipas tekave të veta, kandidatët për deputetë nuk janë në nivelin e duhur fitues sepse i ka caktuar Flamur Noka, marrëdhëniet ndërkombëtare janë keq sepse burokracia e partisë, e emëruar nga Flamuri, nuk punon etj.
Kjo është një teknikë shumë e njohur në historinë politike të botës, por edhe tonën. Në regjimin stalinist në Bashkimin Sovjetik, dështimet ekonomike, uria ose problemet e kolektivizimit u shpjeguan si rezultat i “sabotatorëve”, “kulakëve” ose zyrtarëve lokalë që kishin devijuar nga vija e Partisë. Vetë Stalini paraqitej si ai që zbulonte dhe ndëshkonte fajtorët. Në Kinën e Mao Ce Dunit, pas katastrofës së Hapit të Madh Përpara, ku vdiqën miliona njerëz nga uria, përgjegjësia iu faturua shpesh kuadrove lokalë që gjoja kishin falsifikuar statistikat ose kishin zbatuar gabim direktivat. Ideja bazë nuk vihej në diskutim. Nuk po përmend Enver Hoxhën apo raste të pafundme kudo në bote. Kjo në fakt është një gjë e rëndë, sepse, siç thotë Hannah Arendt në përmbledhjen me ese dhe artikuj, kur një parti nuk arrin të ketë kapacitet të kritikojë liderin, kur ajo e sheh liderin si të vetmin që nuk ka përgjegjësi, kur e sheh liderin si të vetmin i cili nuk është problemi, atëherë ajo parti humbet kapacitetin për gjykim moral. Edhe sikur lideri të mos jetë problem i partisë, ajo duhet të ketë kapacitetin ta kritikojë, ta shohë si problem, sepse vetëm kështu ajo ka kapacitet moral t’i flasë shoqërisë, të mbajë vetë përgjegjësi dhe të fitojë besimin e publikut. Të gjithë ata që janë poshtë kryeministrit, që vjedhin, bëjnë lloj-lloj zullumi, shkatërrojnë çdo ligj dhe të drejtë, nuk janë përgjegjës para kryeministrit. Është kryeministri që ka ndërtuar këtë qeverisje, këtë sistem dhe që i ka zgjedhur në funksion të këtij sistemi. Edhe në opozitë, për çdo gjë që fajësohet Flamur Noka apo kushdo tjetër, është e njëjta gjë. Pa u zgjidhur kjo, partitë do të vijnë duke u zhytur edhe më keq në krizë.

spot_img

Latest articles

Related articles