Është ndaluar ditën e sotme drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit Elisazbeta Mataj, së bashku me shefen e financës, Valbona Hoti dhe arkëtaren Paola Dana.
Prokurori G. Frëngu ka nisur veprimet procedurale ku në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë kanë bërë të mundur ndalimin e tre punonjëseve të akuzuara nga Posta Shqiptare për shkelje detyre dhe abuzim në vlera monetare.
Ditën e djeshme pas një kontrolli të ushtruar brenda institucionit të Postës Shqiptare në Durrës u zbulua mungesa e rreth 3 milion eurove.
Drejtoresha e postës u shkarkua nga detyra, ndërsa drejtuesja e sektorit të financës Valbona Huti Duni dha dorëheqjen.
Me anë të një njoftimi zyrtar Posta Shqiptare njoftoi se pas disa verifikimeve të kryera u evidentuan parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimin e pagesave.
Pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare mori masat e menjëhershme ndaj punonjëseve përgjegjëse dhe e referoi rastin ne Prokurori.



