“Argjentina” – gruaja me sytë nga bregdeti i Qeparoit

spot_img
Advertisements

“Argjentina” – nga Auron Tare

Diku vite të shkuara ngjitesha shpesh në Qeparon e Sipërm. E adhuroja atë fshat jo vetëm për madhështinë, por për elegancën e rrugicave, erën e luleve dhe ballkonet e shtëpive prej guri që sikur përqafonin njëra-tjetrën.

Fshati ishte gati i braktisur, por tek-tuk shikoje ndonjë siluetë që lëvizte kalldrëmeve, veshur me të zeza. E ngjisja në këmbë atë rrugë të bukur të shtruar me gurë dhe, kur arrija në majë, ulesha në ndonjë shkëmb që mbante erë limoni dhe shikoja Korfuzin. Çfarë madhështie.

Në një prej këtyre ditëve soditëse të hapësirës pa fund nga Qeparoi i vjetër takova Argjentinen.

Me të folurën tipike të bregut, një labërishte e kulluar, e spërkatur me pak shprehje greqishte, më pyeti ç’bëja aty ulur në gur.

“Shikoj detin,” mbaj mend se i thashë.

“Nga je, o biro?” më pyeti Argjentina.

“Nga Tirana,” i thashë.

“Po ç’bën këtu?” vazhdoi ajo.

“Po ndjek udhën e një udhëtari anglez,” i thashë, dhe si i zënë në faj i tregova një tufë me fletë që m’i kishte dhuruar Nikolas Hammond, një prej figurave më të njohura të arkeologjisë britanike, i cili kishte përshkruar rrugën e tij në këmbë nga Qeparoi në Kurveleshin e Sipërm.

“Inglizi këtej?” pyeti Argjentina. “Kur ka kaluar, biro? Unë këtu kam kohë dhe nuk kam parë ndonjë inglis në fshat.”

Qesha pak.

“Ka qenë në vitet ’20,” i thashë. “Ka fjetur këtu, te shtëpia e mësuesit.”

“Aa, shiko shiko… te shtëpia e barbas,” tha ajo. “Po ai ka vdekur, more djalë.”

“Po ç’do të bësh në udhën e tij?” vazhdoi ajo.

“Do iki që këtej dhe do dal në Nivicë, të shoh nëse ato që ka shkruar janë të sakta apo jo,” i thashë.

“Po udhë e gjatë,” më tha Argjentina. “Hajde nga unë, ha ca bukë dhe ik nesër në mëngjes.”

Unë e ndoqa pas në shtëpinë e gurit. Oborri me pllaka, ku bari kishte filluar të rritej, dukej i pastër. Një pjergull e vjetër mbulonte sheshin. Një kopsht i vogël dhe disa pula vinin vërdallë. Nga ballkoni dukej jo vetëm Korfuzi, por edhe Mandraki dhe Othoni, bashkë me Erikusën.

U ula në një karrige të vjetër. Argjentina doli me një filxhan kafe dhe u ul pranë meje.

“Si e ke emrin?” e pyeta.

“Argjentina.”

“Argjentina? Po ç’është ky emër?” i thashë.

“Është histori e gjatë, o biro,” më tha.

“Babai iku në kurbet. Dikur u kthye në fshat, u martua me nënën time dhe duket se fshati nuk e mbante dot. Kësaj here iku në Argjentinë. Kur linda unë, ai kishte ikur. Mëma më vuri emrin Argjentinë, në kujtim të atij vendi ku ishte im atë. Mëma e priti, e prita edhe unë… por nuk e pashë kurrë babanë.”

“U rrita me kokën nga deti, por ai nuk erdhi.”

“Më fejuan shumë e re. I fejuari im, djalë i bukur, iku edhe ai në kurbet. E prita, e prita… por nuk erdhi më.”

“Mbeta vetëm pasi mëma më vdiq. Ç’të bëja… u martova me papunë e fshatit.”

“Me kë?” e pyeta, se nuk e kuptova mirë.

“Me priftin, me priftin,” tha dhe qeshi. “U martuam në pleqëri, që të mos rrinin vetëm.”

“Papuja bënte ndonjë pagëzim apo ndonjë peshperitje për të vdekur, derisa nuk mbeti më njeri në fshat.”

“Papuja më vdiq dhe mbeta vetëm edhe unë.”

Teksa tregonte historinë e hidhur të jetës, Argjentinës i ndriçonin sytë. Fytyra e saj ishte një nga më të bukurat që kam parë. Një fisnikëri i buronte nga brenda; ndoshta pritja e gjatë për të atin dhe të fejuarin i kishte dhënë një forcë të jashtëzakonshme.

Kështu, unë dhe Argjentina u bëmë miq. Sa herë kaloja nga bregu, kthehesha tek ajo. I sillja ndonjë pako kafe apo ndonjë gjë tjetër. Atëherë nuk kishte telefon, ndaj shpesh i çoja edhe gjëra që ndoshta nuk i hynin në punë, por ajo i merrte dhe më uronte.

Dy ose tre plaka që banonin afër, sa herë më shikonin, më jepnin uratë. “Nuk ka njeri Argjentina,” më thoshin, “dhe kur i sjell ti kafe, na mbledh edhe ne.”

Në fakt, si jetonte Argjentina aso kohe ishte mister për mua, por ndoshta kishte ndonjë pension nga Papuja i saj. Nuk e pyeta kurrë, që të mos i lëndoja krenarinë.

Një pasdite tetori, përballë Qeparoit, një varg i vogël turistësh zbriti nga një jaht i ankoruar aty. I kisha ftuar unë të vizitonin Qeparon e bukur dhe i kisha sjellë deri aty. Me makina u ngjitën lart.

Megjithëse disa prej tyre kishin lindur apo trashëguar disa nga kështjellat më të bukura në Evropë, mund të them pa mëdyshje se u magjepsën nga ai Qeparo aq i bukur në vjeshtë. Era e limonit, lulet e vjeshtës dhe rrugicat e heshtura i kthyen të gjithë pas në kohë. Qeparoi me kinemanë majë mali i çuditi të gjithë.

Ashtu siç ishim, i ftova për një kafe. I rashë derës së Argjentinës dhe ajo, e habitur dhe e mrekulluar që kishte aq shumë vizitorë, na ftoi brenda. E gëzuar, duke folur gjuhën e saj të mrekullueshme, pyeste për njerëzit që i kishin nderuar shtëpinë. “I ke të ndryshëm,” i thashë, “inglizë, gjermëm, frengj.” Qeshte Argjentina dhe u përgjigjej pyetjeve të çuditshme që i bënin të huajt.

Pasi bloi kafen në mulli dore, një çudi për të gjithë që e shikonin të habitur, sikur po bënte magji, e poqi dhe e hodhi në filxhanë të vegjël që dukeshin sikur vinin nga Lufta e Parë Botërore.

Të parin filxhan ma zgjati mua, pastaj njërit prej zotërinjve të grupit, pastaj grave. Të gjithë qeshën dhe njëra prej tyre, që më vonë do të vinte kurorën si Mbretëreshë e Anglisë, më tha: “Pyete Argjentinën pse u shërbeve burrave më parë dhe jo grave.”

“Argjentina,” i thashë, “zonja pyet pse u shërbeve burrave dhe jo grave.”

“Eh more bir,” m’u përgjigj ajo, “thuaji zonjës se burri është trau i shtëpisë. Kur bie trau bie çatia dhe po ra Catia shuhet shtëpia.”

E përktheva këtë pjesë të filozofisë së Argjentinës dhe të gjithë qeshën.

Pas kësaj vizite, Argjentinën e pashë edhe dy herë të tjera. Pastaj ika jashtë Shqipërisë.

Kur u ktheva, diku nga fillimi i pranverës, kalova përsëri nga bregu. Kisha marrë një pako me kafe dhe u ngjita në Qeparo.

Lulet sapo kishin çelur dhe deti ishte i kaltër pa fund. Kur mbërrita te porta, i rashë disa herë. Nuk u përgjigj njeri.

Mendova se do të ishte te ndonjë fqinje më poshtë dhe shkova i rashë derës. Plaka që doli, sapo më pa, më tha: “Argjentina vdiq në dimër. E gjetëm pas dy a tre ditësh… ishte shuar pranë dritares, sikur priste t’i vinte dikush nga deti.”

U pikëllova shumë. Shkova te shkëmbi ku ishim takuar për herë të parë dhe hapa pakon e kafes. Pluhurin e mbajta në pëllëmbë dhe era që frynte e mori dhe e shpërndau mbi lulet ende të pahapura të limonëve, të cilët dikur Argjentina i kujdesej duke parë detin, me shpresën se një ditë dikush do të kthehej edhe për të

spot_img

Latest articles

Related articles