Shqiponja e Zezë në Aruba, narkotrafiku kuqezi sjell tonelata në Europë

spot_img
Advertisements

nga Flamur Vezaj

Operacioni i fundit i SPAK, në vazhdën e hetimit ndërkombëtar belg “Black Eagle” (Shqiponja e Zezë), që goditi disa biznesmenë të fuqishëm të ndërtimit të dyshuar si trafikantë të tonëve të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, ka nxjerrë në dritë edhe një tjetër detaj të rëndësishëm: takimi i famshëm i Arubës ka ekzistuar dhe është dokumentuar nga autoritetet europiane.

Por nëse SPAK ka bërë publike emrat e trafikantëve, biznesmenëve dhe investitorëve që morën pjesë në ato takime, një emër duket se është zhdukur nga dosja.


Sipas materialeve që redaksia ka siguruar dhe ka shqyrtuar, në vendimin e masave të sigurisë të firmosur nga gjyqtarja Flojera Davidhi, mbi kërkesën e prokurorëve Altin Dumani dhe Elida Kaçkini, përfshihet informacion i ardhur nga autoritetet belge, spanjolle dhe franceze lidhur me një seri takimesh të zhvilluara gjatë viteve 2018-2019 në Majorka, Aruba, Belgjikë, Gjermani, Spanjë dhe Monako.

Në dosje thuhet se: “Një hetim europian i vitit 2019 mbi aktivitetin e ‘Klanit Osmani’ me seli në Majorka zbuloi disa vëzhgime të bëra gjatë takimeve në ishullin Aruba nga data 24 deri më 31 janar 2019 ku morën pjesë Arben Ismailaj, Elton Memeti, Adrian Rama, Artur Shehu dhe Bujar Shehu.”

Sipas dokumenteve, këto takime nuk mbetën vetëm në Aruba. Autoritetet europiane kanë dokumentuar vazhdimin e kontakteve në Belgjikë, Gjermani, Spanjë dhe Monako. Por një paragraf tjetër i dosjes është edhe më interesant. Aty thuhet se gjatë këtyre takimeve janë konstatuar kontakte: “me përfaqësues funksionalë të lartë shtetërorë të shtetit shqiptar”. Kaq.

Asnjë emër. Asnjë identitet. Asnjë shpjegim. Në një dosje ku publikohen emra trafikantësh, biznesmenësh, ortakësh, administratorësh kompanish dhe investitorësh, emri i zyrtarit shqiptar zhduket krejtësisht. Në fakt, SPAK nuk thotë se informacioni mungon. Përkundrazi, rezulton se informacioni është marrë nga autoritetet e huaja dhe është administruar në dosje.

Edhe më interesant është fakti se vetë materialet e ardhura nga partnerët europianë lidhin këto takime me projekte të mëdha pasurish të paluajtshme në Shqipëri. Në dosje citohet: “Këto takime duket se kanë të bëjnë me projektet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme dhe me mbështetje të autoriteteve politike në Tiranë.”

Pra, sipas autoriteteve europiane, nuk bëhej fjalë thjesht për takime shoqërore apo turistike në Karaibe. Dyshimi i tyre ishte se diskutoheshin projekte ndërtimi në Shqipëri, të financuara potencialisht me para që buronin nga aktiviteti kriminal. Megjithatë, kur dosja mbërrin në Shqipëri, identiteti i përfaqësuesit shtetëror mbetet i paqartë.

Një tjetër detaj i rëndësishëm është fakti se vetë autoritetet belge e konsiderojnë Artur Shehun si figurë kyçe të organizatës. Në materialet e hetimit thuhet se ai: “mban një pozicion drejtues brenda organizatës” dhe se ka kontakte të vazhdueshme me Alfredo Hamzain dhe personazhe të tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës, me takime të dokumentuara në Belgjikë, Aruba, Spanjë dhe vende të tjera.

Pikërisht për këtë arsye, mungesa e emrit të zyrtarit shqiptar bëhet edhe më e rëndësishme. Në librin dhe investigimet e gazetarit italian Nello Trocchia, i cili ka ndjekur prej vitesh aktivitetin e grupeve shqiptare në Europë, është përmendur se në këto takime dyshohej pjesëmarrja e një zyrtari të rëndësishëm shqiptar. Në qarqe mediatike është përfolur emri i Engjëll Agaçit, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama.

Megjithatë, emri i tij nuk figuron askund në vendimin e SPAK. Kjo nuk do të thotë se SPAK ka përjashtuar apo konfirmuar ndonjë person. Por fakti që autoritetet europiane flasin për praninë e zyrtarëve të lartë shqiptarë, ndërsa identiteti i tyre mungon krejtësisht nga dokumenti shqiptar, ka ngritur dyshime dhe pikëpyetje të forta.

Dosja “Black Eagle” ka treguar se si trafikantë të dyshuar të kokainës investonin në ndërtim, turizëm dhe pasuri të paluajtshme në Shqipëri. Por mes qindra faqeve të hetimit mbetet ende një boshllëk i madh: kush ishte zyrtari shqiptar që autoritetet europiane thonë se ishte i pranishëm në takimin e Arubës dhe pse emri i tij nuk u bë publik nga SPAK?

spot_img

Latest articles

Related articles