Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vijuar me një sërë veprimesh hetimore të përqendruara në sektorin e investimeve në jug të vendit dhe në disa resorte luksoze, në një kohë kur debati publik mbi mënyrën e qarkullimit të parave dhe dyshimet për pastrim të mundshëm kapitalesh vijon të jetë i fortë.
Në MCN Live, drejtori i përgjithshëm i televizionit, Endri Meksi, ka komentuar zhvillimet e fundit, duke theksuar se mënyra se si po interpretohen ngjarjet kërkon kujdes të shtuar dhe analizë të ftohtë, larg perceptimeve të nxituara.
Nëse do të shohim çdolloj marrëzie të mundshme që na vjen në mendje për të akuzuar çdokënd, atëherë qëndrojmë vetëm te media dhe te perceptimi publik, ndërsa në realitet duhet të kemi shumë kujdes sepse mund të lexojmë gabim të gjithë këtë situatë komplekse që lidhet me ekonominë, me investimet dhe me mënyrën se si qarkullojnë fondet në tregun tonë.
Ai shtoi se një pjesë e rëndësishme e diskutimit lidhet me institucionet dhe mënyrën se si ato funksionojnë në raport me hetimet.
Instanca e Kuvendit është një nga hallkat më të vështira për t’u hetuar dhe për t’u kuptuar në këto procese, ndërsa institucionet që dalin të zbuluara janë ato që duhet të japin përgjegjësi të plotë, dhe nëse nuk arrijnë të bëjnë detyrën e tyre, atëherë duhet të ketë dorëheqje ose distancim të qartë institucional, përndryshe duhet që ata që kanë informacion të denoncojnë të tjerët pa hezitim.
Duke folur për sistemin financiar dhe dyshimet që lidhen me qarkullimin e parave, Meksi u tregua i kujdesshëm në interpretim.
Në këtë ekuacion nuk mund të lihen jashtë institucionet e lidhura me pronat dhe transaksionet si kadastra dhe sistemi noterial në tërësi, por bankat ende nuk po dalin në këtë skemë dhe nuk besoj se është kaq e thjeshtë sa të thuhet se paratë janë futur në bankë dhe gjithçka mbyllet aty, sepse në momentin që paratë hyjnë në bankë ato nuk konsiderohen më para të pista, pra logjika nuk është aq lineare sa mund të duket në publik.
Ai solli në vëmendje edhe rastet e investimeve në jug, duke kërkuar maturi në analizë.
Për shembull, nëse shohim rastet e hoteleve në jug të Shqipërisë, nuk rezulton që në momentin e shitjes të ketë pasur gjithmonë diferenca të mëdha të pajustifikuara, dhe në disa raste kemi një rritje shumë të madhe të vlerës nga ndërtimi deri te shitja, por kjo nuk duhet interpretuar menjëherë si histori e pastrimit të parave pa parë dokumentacionin dhe realitetin ekonomik të investimit.
Meksi shtoi se zhvillimet e fundit të SPAK kanë sjellë më shumë informacion në treg dhe kanë ndikuar në mënyrën si perceptohet biznesi.
Mendoj se disa nga aksionet e fundit të SPAK kanë nxjerrë shumë informacion në dritë dhe është e qartë që institucioni ka hetuar të gjitha palët pa përjashtim, dhe nuk shoh asnjë person që të jetë i mbrojtur apo jashtë vëmendjes hetimore, gjë që për mua tregon se procesi po ecën në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Në fund, Meksi theksoi se tregu po kalon një fazë rregullimi dhe se duhet shmangur leximi emocional i situatës.
Nuk duhet të mendojmë se po përballemi me një skemë të thjeshtë apo me një përrallë për pastrim parash, por me një treg që po korrigjohet dhe ku bizneset duhet të fillojnë të mendojnë më shumë për modele të reja zhvillimi, ndërsa qytetarët dhe institucionet duhet të kërkojnë një simetri drejtësie dhe jo bllokim të investimeve, sepse në fund të ditës problemet tona nuk do t’i zgjidhë as BE-ja dhe as dikush tjetër nga jashtë. Ajo që vlen të theksohet është fakti se thashethemet ëpr të cilat kemi folur prej kohësh më në fund janë duke dalë të sakta



