Një projekt masiv betoni do të ngrihet në kodrat me ullishte dhe pyje, sipër zonës së Liqenit të Thatë, duke e shndërruar edhe atë pak zonë të gjelbër që kishte mbetur në periferi të Tiranës, në pallate shumëkatëshe, ngjitur me njëra-tjetrën.
Mediat e kanë paralajmëruar disa kohë më parë të gjithë projektin, pasi pas saj fshihet një nga biznesmenët më kontrovers, Arben Muçobega, ai i cili ka arritur që të marrë leje edhe në një nga gjiret më të bukura të Shqipërisë, në Llaman, nga ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.
Sipas dokumenteve, projekti i biznesmenit Muçobega parashikon ndërtimin e plot 15 kullave në një nga zonat më të gjelbra të kryeqytetit, teksa lartësia e tyre do të jetë 9 kate. Mësohet se janë rreth 31 mijë metra katrorë truall ku do të ngrihen këto pallate, ndërkohë që projekti parashikon plot 94 mijë metra katrorë ndërtim mbi dhe nëntokë.

KKT ka vendosur miratimin me kusht të Lejes së ndërtimit për objektin “kompleks banimi dhe shërbimi me 1-9 kate mbi tokë, me 1, 2 dhe 3 kate nëntokë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues “Bega-07”. Kushti i lejes ka qenë plotësimi i dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë për llogari të Bashkisë Tiranë.
Mësohet se prej shumë vitesh, biznesmeni Arben Muçobega vijon që të shfrytëzojë të gjithë Gjirin e Llamanit, duke ngritur lokale dhe restorante luksoze, në një nga gjiret më të bukura të detit Jon, midis Himarës dhe Porto Palermos. Muçobega ka marrë vazhdimisht leje për shfrytëzimin e plazhit, ndërkohë që ka publikuar edhe projekte që e shndërrojnë të gjithë zonën e Llamanit në një resort personal, pa asnjë dalje në det për qytetarët e thjeshtë.
Redaksia ka arritur të sigurojë një raport konfidencial nga shërbimi i Inteligjencës financiare në Ministrinë e Financës dhe do ta botojë së shpejti…




