nga Fitim Zekthi
Është turrur gati e tërë paria politike e vendit, e tërë paria e medias dhe biznesit kundër protestës që po mbahet prej disa ditësh nga shoqëria shqiptare. Ajo është një protestë ndërgjegjeje e një shoqërie që ndihet e rrahur, e vjedhur, e poshtëruar dhe në pamundësi të plotë të jetojë me djersën e saj. Është shoqëria shqiptare në protestë, është rinia, janë profesionistët, janë familjet e reja me fëmijë, janë bizneset e vogla, eshte qytyetaria dhe e fismja etj. Janë marrëzira këto shpjegimet me konspiracion grek a amerikan, serb apo izraelit, trumpist apo sorosist, ramist, veliajist apo berishist. Njerëzit, shoqëria janë aty kundër padrejtësive, zullumit, qeverisjes dhe politikës së korruptuar që nuk ka asnjë lidhje me jetët e njerëzve. Opozita, PD, duhet që në mënyrë të padiskutueshme të përkrahë protestën e shoqërisë dhe popullit të këtij vendi. PD nuk duhet ta shohë si konspiracion apo rrezik. Vetëm militantët e verbër të partive, vetëm ata që mendojnë se partia është alfa dhe omega e botës, vetëm ata që mendojnë se liderët e partive janë bartësit absolutë të së vërtetës shohin te protesta një rrezik të madh për partitë e tyre dhe sigurisht që e sulmojnë protestën. Militantizmi partiak e redukton njeriun në një qenie njëdimensionale, pa arsye, pa tru, dhe në shërbim të partisë apo liderit. PD nuk mund të jetë kundër njerëzve dhe protestës së tyre kundër qeverisjes dhe zullumit. Një përkrahje e fortë, pa zhurmë dhe zullum, një përkrahje totalisht e sinqertë e kësaj proteste nga opozita do të ishte mirë për protestën dhe mirë, madje shume shume mire për opozitën. Përkrahje e sinqertë ama, pa protagonizëm, pa hile. Njerëzit e kuptojnë sinqeritetin, e kuptojnë gjithmonë. Ne fund te fundit kjo proteste eshte jo vetem nje tmerr per zullumi dhe pushtetin por edhe nje leksion se cfare ehste dhe se si mblidhet populli ne proteste.



