Një aksident tragjik u regjistrua mëngjesin e kësaj të marte në Lushnje, ku viktimë mbeti një 43-vjeçar. Sipas informacioneve të bëra me dije për mediat, viktima është identifikuar si Ernis Xhumari, vëllai i zv.ministres së Mjedisit, Elda Xhumari.
Aksidenti me pasojë vdekjen e Xhumarit ndodhi në orët e para të mëngjesit, ndërsa 43-vjeçari, banues në Karbunarë të Lushnjës, humbi jetën pasi automjeti që drejtonte doli nga rruga dhe si pasojë u përfshi nga flakët.
Sipas të njëjtave informacione mësohet se Ernis Xhumari, pak para ngjarjes së rëndë, kishte shkuar pranë ambienteve të Komisariatit të Policisë së Lushnjës, ku dyshohet se ka kryer manovra të rrezikshme me automjetin, duke xhiruar gomat dhe përdorur fjalor ofendues.
Pas këtyre veprimeve, efektivët e grupit të gatshëm janë vënë në ndjekje të tij. Në përpjekje për t’iu shmangur policisë, 43-vjeçari është larguar me shpejtësi në drejtim të Karbunarës.
Burimet bëjnë me dije se, për shkak të shpejtësisë së lartë, ai nuk ka mundur të kontrollojë mjetin në afërsi të një rrethrrotullimi, duke u përplasur fillimisht me të dhe më pas automjeti është përfshirë nga flakët. Pavarësisht ndërhyrjes dhe ndihmës së parë të dhënë në vendngjarje, 43-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Po sipas të njëjtave burime, rreth dy muaj më parë, Ernis Xhumarit i ishte hequr leja e drejtimit pasi ishte konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Për këtë rast, ai ishte proceduar nga autoritetet. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit fatal.



