nga Ermal Hasimja
Disa mendime të tjera për Zvërnecin:
- Opozita duhet të shprehet qartë për qëndrimin e saj. Reagime si ai i Belind Këlliçit janë të duhura, por nuk mjaftojnë.
- Protesta e së dielës nuk vlen vetëm për Zvërnecin, por edhe për çdo marifet qeveritar në të ardhmen. Babëzia nuk do të ndalet kurrë. Paratë e taksave vidhen ende pa u futur në arkën e shtetit dhe tani qartësisht i ka ardhur rradha tokës dhe natyrës. Brenda pak vitesh nuk do të ketë më nevojë për shqiptarë: qeverisë do t’i mjaftojnë filipinasit e bangladeshasit (për të cilët kam respekt se punojnë me djersën e ballit për bukën e fëmijëve).
- Teoritë se protesta nxitet nga grekët a dikush tjetër nuk ka vlerë. Pavarësisht gjithçkaje shteti duhet të mbrojë zonat e mbrojtura me ligj, të bëjë transparencë të plotë për pronarët dhe investitorët, të konsultohet me komunitetin dhe të garantohet që ai përfiton nga projekti, të marrë miratimin e specialistëve të mjedisit dhe të garantojë se projekti nuk dëmton natyrën.
- Zvërneci tregoi se qeverisë nuk i mjafton kontrolli i televizioneve e as blerja e një grushti opinionistësh. Interneti është instrument demokratik i përkryer.
- Kjo nuk mund të jetë thjesht një protestë kundër një projekti. Edhe nëse do të zgjidhej Zvërneci janë bërë e po bëhen gati pazaret për cdo centimetër katror të vendit. Protestuesit duhet të kuptojnë se problemi është qeveria, jo protagonistët e rastit specifik. Qeveria ndryshohet me votë.
- Protesta ngjall shpresën që reagimi qytetar është i mundur.



