Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, gjatë një prononcimi për emisionin “Të Paekspozuarit”, ka folur për denoncimet e tij lidhur me dosjen e AKSHI-t dhe raportin me biznesmenin Ergys Agasi.
I pyetur nëse është kërcënuar nga Agasi, Meksi mohoi që të ketë pasur kërcënime ndaj tij apo familjes së tij, duke theksuar se akuzat e tij lidhen vetëm me çështjen e AKSHI-t.
Kërcënime për jetën kam thënë që jo. Kërcënime ndaj familjes, nga Ergys Agasi, jo. Unë e kam akuzuar vetëm për dosjen e AKSHI-t dhe jo për kërcënime.
Me Gys Agasin kemi pasur marrëdhënie në tentativë për biznes, por nuk u realizuan. Nuk mund t’i vë faj për kërcënime.
Përfshirja ime në këtë çështje ka qenë fillimisht për arsye personale, por më pas ka vijuar plotësisht në aspektin publik. Pse të mos flas? Vetëm pse nuk jam gazetar? Kam hezituar shpesh të flas edhe për shkak të një lloj kompleksi të krijuar nga njerëz si Gysi. Në një rrugë dështova, po provoj një tjetër.
Sipas Meksit, njohuritë e tij fillestare mbi këtë dosje ishin të kufizuara dhe të bazuara kryesisht në perceptime apo diskutime informale.
Nuk njihja as 2% të asaj që di sot për dosjen. Njihja vetëm thashetheme dhe biseda kafenesh, të paprovuara, të mbushura me mllef apo inate.
Tjetër gjë është kur lexon dokumente dhe fakte konkrete.
Edhe si drejtues media, kam ceduar shumë herë duke mos shkuar deri në fund të kërkesave për informacion dhe tani po përpiqemi ta korrigjojmë këtë gjë.
Mundohem të jem i saktë në çdo deklaratë, edhe për të mos kapërcyer kufirin mes biznesmenit të IT-së dhe drejtuesit të medias.
Nuk më ka ftuar Top Channel. Po të më kishin ftuar, do të isha edhe te ‘Inside Story’



