Ndalni gjuetinë ndaj Policisë së Shtetit! Avokati jep alarmin për Institucionin

spot_img
Advertisements

nga Edmond Petraj

Në vend të krimit, po arrestojnë sakrificën sepse ata janë hallka e fundit nuk mund të mbajë fajin e gjithë zinxhirit ku shteti po dobëson policinë dhe po forcon të paprekshmit!

Ndalni gjuetinë ndaj Policisë së Shtetit!

Shteti nuk mund të vazhdojë të prodhojë spektakël me arrestime selektive, duke goditur vetëm hallkat e fundit të zinxhirit dhe duke lënë të paprekur drejtuesit që firmosin, urdhërojnë dhe kontrollojnë çdo strukturë. Arrestimi i punonjësve të thjeshtë të policisë, ndërkohë që drejtorët dhe përgjegjësit institucionalë vazhdojnë të qëndrojnë të paprekur në zyra, krijon bindjen se drejtësia po godet më të dobëtit dhe po kursen kokat reale të përgjegjësisë.

Policia e Shtetit nuk duhet goditur verbërisht dhe nuk duhet kthyer në tabelë qitjeje sa herë që sistemi kërkon “fajtorë” për opinionin publik. Polici i thjeshtë është hallka e fundit e zinxhirit, ai që del në rrugë, përballet me krimin, konfliktin, rrezikun dhe sakrifikon çdo ditë për rendin dhe sigurinë. Nuk mund të mbajë mbi supe të gjitha dështimet e institucioneve.

Nëse ka abuzime me territorin, ndërtimet pa leje, tolerimin e zaptimeve apo mosveprimin institucional, atëherë përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm tek polici i rrugës apo inspektori i thjeshtë. Duhet të mbajnë përgjegjësi ata që kanë kompetencën ligjore për të kontrolluar territorin dhe për të marrë vendime: drejtorët e policive bashkiake, drejtuesit e IMT-ve, drejtuesit e IKMT-së, si dhe inspektorët përgjegjës të terrenit që kanë detyrimin të evidentojnë dhe të ndalojnë shkeljet.

Nuk mund të pranohet që në çdo skandal të dalin para kamerave vetëm vartësit, ndërsa drejtuesit fshihen pas zyrave dhe firmave kolektive. Në administratë nuk ekziston vetëm përgjegjësia individuale e punonjësit të fundit; ekziston edhe përgjegjësia komanduese, administrative dhe penale e drejtuesve që kanë dijeni, kontroll dhe detyrim veprimi.

AMP duhet të heqë dorë nga kallëzimet absurde dhe nga praktika e spektaklit me pranga ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit. Sepse kur godet pa kriter policinë, dobëson sigurinë publike dhe demoralizon njerëzit që sakrifikojnë jetën në shërbim të qytetarëve.

Nëse një ndërtim pa leje ngrihet për muaj të tërë, nëse një territor zaptohet pa reagim, nëse një aktivitet zhvillohet nën hundën e institucioneve, atëherë pyetja nuk është vetëm “çfarë bëri polici?”, por mbi të gjitha: ku ishin drejtorët? Ku ishin inspektorët? Kush firmoste raportet? Kush heshti? Kush toleroi?

Kam bindjen se pas shumë prej këtyre procedimeve po krijohet një skemë e errët presioni dhe gjobash, e cila meriton hetim serioz. Është një çështje që duhet hulumtuar thellë, sepse nëse rezulton e vërtetë, do të kemi të bëjmë me një nga skandalet më të mëdha institucionale.

Drejtësia e vërtetë nuk matet me numrin e prangave ndaj vartësve, por me guximin për të goditur përgjegjësinë në majë të piramidës. Përndryshe, çdo arrestim tjetër do të perceptohet si propagandë force dhe jo si luftë reale kundër abuzimit dhe korrupsionit institucional.

Mbroni Policinë e Shtetit. Dëgjojini njerëzit e sakrificës, jo vetëm zhurmën e propagandës. Një shtet që shkatërron policin e vet, në fund dobëson vetveten.

spot_img

Latest articles

Related articles