SKANDAL | ‘Beach bar’ ekzistues, Arrestime popullore e 0 përgjegjësi institucionale në SARANDË

spot_img
Advertisements

Av. Edmond Petraj

Ky nuk është thjesht një operacion kundër ndërtimeve pa leje. Ky është një test i qartë nëse kemi shtet ligjor apo reagim të vonuar me pranga në dorë.
Operacioni i Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia e Shtetit në Sarandë çoi në arrestimin e drejtuesve dhe efektivëve të policisë, përfshirë edhe shefin e Komisariatit, Gëzim Bashllari, mbi dyshime për bashkëpunim me ndërtues pa leje.
Por këtu fillon problemi juridik..

Një nga objektet, “Azur Beach Bar”, rezulton të ketë funksionuar gjatë gjithë sezonit veror 2025, në një plazh të lidhur me parcelën SR-41, dhe sipas palës së dëmtuar, me një leje të dhënë nga KKTU (nr. 52, datë 28.05.2025), që parashikonte strukturë shërbimi dhe platformë sistemimi.

Pra kemi një fakt thelbësor: Objekti nuk ishte i fshehtë. Ka operuar publikisht, me fluks turistësh, për muaj të tërë.
Kjo ngre disa pyetje të rënda juridike:
Nëse leja ekziston – atëherë kemi konflikt administrativ, jo automatikisht penal. Nëse leja është e parregullt – përgjegjësia është institucionale, jo për t’u zgjidhur me arrestime zinxhir. Nëse nuk ka pasur kontroll në kohë – kemi dështim të shtetit, jo faj të menjëhershëm të individëve.

Policia nuk jep leje ndërtimi. Nuk përcakton vlefshmërinë e tyre. Ajo vepron mbi baza konkrete shkeljesh dhe urdhrash ligjorë.

Atëherë mbi çfarë baze arrestohet një drejtues policie?
Mbi dyshime?
Pa provuar përfitim, pengim aktiv apo bashkëpunim të drejtpërdrejtë?
Këtu kemi një tjetër problem serioz: Parimi i proporcionalitetit është anashkaluar.

Arrestimi është masa më ekstreme. Nuk përdoret për të kompensuar vonesat e shtetit. Nuk përdoret për të dhënë shembuj publikë.
Ndërkohë, kemi edhe një element tjetër: Toka pranë plazhit rezulton pronë e trashëguar prej dekadash, e njohur me vendim të Këshillit Bashkiak që në vitin 1999. Pra nuk kemi një situatë të krijuar në errësirë apo në mënyrë të fshehtë.

Kur një aktivitet: – funksionon me pretendim lejeje, – tolerohet për një sezon të tërë, – dhe më pas shpallet kriminal me pranga spektakolare,
atëherë problemi nuk është vetëm te “ndërtimi pa leje”.

Problemi është te mënyra si funksionon shteti.
Ky është një rast tipik ku: mungesa e kontrollit në kohë po zëvendësohet me reagim penal të vonuar.

Dhe kur shteti ndëshkon atë që vetë ka toleruar, nuk kemi më drejtësi.
Kemi pasiguri.
Sot është një beach bar. Nesër mund të jetë çdo biznes apo çdo qytetar.
Ky është thelbi i problemit.

spot_img

Latest articles

Related articles