Magyar i shpall luftë 4iG. Bien pikiatë aksionet e kompanisë që kontrollon “One Albania”

spot_img
Advertisements

Perandoria ekonomike e ngritur gjatë viteve të Viktor Orban po hyn në zonë turbulence.

Në qendër të stuhisë ndodhet 4iG, kompania hungareze që gjatë dekadës së fundit u kthye në një nga grupet më të fuqishme në telekomunikacion, mbrojtje dhe infrastrukturë dixhitale, falë lidhjeve të forta me qeverinë e Orban.

Por ardhja në pushtet e Peter Magyar duket se ka ndryshuar gjithçka.

Në daljen e tij të parë të fortë kundër sistemit ekonomik të ngritur nga paraardhësi, Magyar goditi direkt kontratën gjigande prej 1.311 trilionë forintësh që Ministria hungareze e Mbrojtjes kishte firmosur me 4iG vetëm pak javë para zgjedhjeve.

Bëhet fjalë për një marrëveshje marramendëse, me vlerë rreth 4.3 miliardë dollarë, që parashikonte projekte për modernizimin dixhital të ushtrisë hungareze, sisteme mbrojtjeje dhe teknologji satelitore deri në vitin 2035.

Kontrata u bë publike nga mediat hungareze vetëm pas ndryshimit të pushtetit dhe shkaktoi menjëherë përplasje politike.

Peter Magyar deklaroi se qeveria e tij nuk do të njohë parapagimin prej afro 30 miliardë forintësh (4.3 mln dollarë) që 4iG kishte kërkuar mbi bazën e kontratës.

“Nuk kemi për të paguar asgjë. Oligarkët të sillen sikur kjo kontratë nuk ekziston”, ishte mesazhi i prerë i kryeministrit të ri.

Ai shtoi se qeveria e Tisza-s do ta rishikojë plotësisht kontratën kuadër, e cila, sipas tij, ishte firmosur nga ministri i Mbrojtjes i qeverisë në largim të Viktor Orban “vetëm një muaj para zgjedhjeve, pa asnjë konsultim publik dhe në mënyrë të klasifikuar”.

Magyar theksoi se paketa e kontratës përfshinte edhe blerje satelitësh spiunë dhe pajisje të ngjashme, por sipas tij: “Për këtë dhe në këtë formë sigurisht që nuk ka nevojë. Ka nevojë për një shëndetësi funksionale, një arsim funksional, mbrojtje reale të fëmijëve dhe një ekonomi që vihet në lëvizje, jo për satelitë spiunë dhe aq më pak për kontrata me të cilat mbështeten oligarkët me qindra e mijëra miliarda”.

Bien aksionet

Vetëm brenda pak orësh, aksionet e 4iG ranë nga rreth 1990 forintë në 1670 forintë, duke humbur afro 16% të vlerës në bursën e Budapestit.

Për investitorët, sinjali ishte i qartë: qeveria e re hungareze po hap luftë ndaj modelit ekonomik të ndërtuar gjatë epokës Orban dhe ndaj kompanive që konsiderohen pjesë e tij.

Goditja ndaj 4iG shihet si veçanërisht kritike, pasi kompania ishte pozicionuar si një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve shtetërore dhe projekteve strategjike në Hungari.

Investigime të publikuara nga Bloomberg dhe media hungareze kanë ngritur dyshime se 4iG përfitoi zgjerim të jashtëzakonshëm gjatë viteve të fundit përmes marrëdhënieve politike me qeverinë Orban. Pikërisht kjo kompani kontrollon sot edhe “One Albania”, operatorin kryesor celular në Shqipëri.

Dhe këtu historia kalon direkt në Tiranë.

Sipas bilanceve financiare të vitit 2024, “One Albania” rezulton të ketë mbi 96 milionë euro hua dhe financime nga grupi mëmë hungarez 4iG, çka tregon varësi të konsiderueshme financiare nga kompania që tashmë ndodhet në qendër të krizës politike në Budapest.

Kjo do të thotë se çdo tronditje financiare apo hetim ndaj 4iG mund të prodhojë efekte edhe në Shqipëri, në një sektor strategjik si telekomunikacioni.


Vetëm pak ditë para shpërthimit të skandalit, pronari i 4iG, Gellért Jászai, zhvilloi takime në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, ku u diskutua zgjerimi i investimeve të grupit në Shqipëri dhe Ballkan.

Në fokus ishin “One Albania”, projektet për “Data Center”-a dhe kablli strategjik nëndetar “2EAGLE”, që synon të lidhë Egjiptin me Shqipërinë dhe më pas me Europën.

Por ndërsa qeveria e re hungareze paralajmëron auditime, deklasifikim kontratash sekrete dhe hetim të lidhjeve mes politikës dhe oligarkëve, pyetja që po shtrohet tani është nëse 4iG po përpiqet të zhvendosë asetet dhe influencën strategjike drejt Ballkanit për t’i shpëtuar goditjes në Hungari.

Nëse ofensiva politike e Peter Magyar thellohet, pasojat mund të mos mbeten vetëm në Budapest. Ato mund të ndihen edhe në Shqipëri, aty ku 4iG ka vendosur një nga investimet e saj më të rëndësishme rajonale: “One Albania”.

spot_img

Latest articles

Related articles