Ibrahim Rugova, 20 vite nga përjetësia | nga Virion GRAÇI

spot_img
Advertisements

Virion GRAÇI

I. NJOHJA
Në periudhën kur u ngrit në zenit emri i Ibrahim Rugovës, deri sa u nda nga jeta, nuk e kemi pasur fatin ta jetojmë e ta njohim nga brenda Kosovën dhe njerëzit e saj, personalitetet dhe njerëzit e zakonshëm; fatkeqësisht, njohja ime me I. Rugovën, është librore e prej mediumesh, sintezë leximesh e opinionesh të ndryshme, kështu ngelet i hapur shtegu i dijeve të reja dhe arsyetimeve të pandërprera në lidhje me këtë figurë, si me çdo ngjarje madhore të historisë sonë të përbashkët.

Mos njohja e tërësishme me Kosovën dhe njerëzit e saj, nuk ka qenë privim vetëm i gjeneratës sime. Deri në fund-vitet e ‘80-a, njohja reciproke mes shqiptarëve të dy krahëve të kufirit Shqipëri-ish Jugosllavi ishte me ndërmjetësinë mediumeve shtetërore të cilat e ruanin të fortë versionin zyrtar, vizioni optimal për vetveten, pranimi me censurë i tjetrit: andej (në ish Jugosllavi) i bënin pritë ndikimit të mundshëm të Shqipërisë, Shqipëria i ruhej ndikimit të shfaqjeve të tuaja, ndikimeve revizioniste por edhe ndonjë prirjeje dëmtuese, armiqësore me rendin politik-shtetëror në fuqi nga ‘miqtë kosovarë’. Dhe çdokujt që i jepej viza hyrëse në Shqipëri, përfshi këtu dhe personalitete si Rugova e kolegë të tij, ndiqeshin me ekipe profesionale të sigurimit të shtetit, u hapej fashikulli përkatës. Mbas hapjes së kufirit për daljet nga Shqipëria për në botë e përreth, Kosova nuk ishte e mundshme për t’u vizituar, për shkak të një faze të re që nisi aty, proceset çintegruese të shtetit federativ, represioni i shtuar, vështirësimi i jetesës deri në kufijtë e luftës për mbijetesë. Në këtë mënyrë, opinioni në Shqipëri, ishte në duart informuese, ndikuese e përpunuese të gazetave të cilat më së shumti ishin partiake; opinionet a raportimet nuk mund të ishin imune ndaj parapëlqimeve të drejtuesve, sikurse nuk mund të ishin imune ndaj lajmeve të pakonfirmuara, prirjes për sensacione. Vullnetshëm ose pa dashje ka pasur dhe diversion, keq-informim si dhe prirje anshmërie që buronte nga tradita e afërme e gazetarisë nën totalitarizëm, mëshimit në lavde ose fyerje/demaskime të personalizuara, sipas rastit.

Me përfundimin e periudhës së përfytyrimeve të idealizuara, romantike për njëri-tjetrin, me ato ekzagjerime pozitive që ti jep dija e pjesshme, propaganda, rrëfimet folklorike dhe retorika e shkëputur nga realiteti, i erdhi radha takimit të drejtpërdrejtë, edhe ky i rrëmujshëm, nën mëshirën e rrethanave aksidentale, me filtra të rinj të politikës partiake, reflektuar në gazetat e tyre dhe në shtypin pro tyre. Me gjithë mangësitë, filtrat, subjektivizmit, ekzagjerimet, lajmet përcilleshin. Sytë tanë kanë ecur në një hap me edhe me të rejat për Rugovën: përfshirja e tij në drejtimin e një partie të re, të LDK-së, dalja në krye të popullit si president-simbol, zëdhënës i dëshirave të Kosovës dhe përfaqësues nëpër kancelari të politikës euro-atlantike, qëndrimi i tij për një periudhë relativisht të gjatë si autoritet në skenën politike të vendit e më gjerë, ndërprerja e ndikimit të tij nga largimi prej jetës tokësore.

Proceset që i paraprinë shtetit të Kosovës, çlirimit të saj, shpalljes së pavarësisë, janë të ditura, kur analizohet puna e Rugovës; në perceptimin e masave nuk ka pasur dyshime, mëdyshje a refuzim: përkundrazi, kanë investuar energji, veprim konkret, idealizëm, qëndresë dhe mobilizim, sipas rrethanave konkrete; ndër qarqet elitare, intelektualë shqiptarë të fushave të ndryshme, kryesisht të shkencave shoqërore e albanologjike, përfshirë në politikë atdhetare, mendimet dhe vlerësimet s’mund të ishin të njësuara, unanime. Në fund të fundit Kosova po i ikte totalitarizmit të çdo forme, aq më tepër veprimtarët e arsimuar. Intelektualët krijues e letrarë, rrethit të së cilit i përkiste I. Rugova, prej dekadash e kishin përqafuar dhe bërë të tyre pluralitetin në mënyrën e të menduarit, në metodologjinë e kërkimit shkencor, në krijimtari. Ishte e pritshme, por jo përherë e domosdoshme që të kish për çdo çështje, në këtë rast edhe ajo e shndërrimit të Kosovës nga shtet-ide në shtet të lirë, të pavarur, më shumë se një mendim, të kishte sa njerëz aq dhe alternativa teorike, që artikuloheshin në mediume, situata nganjëherë kontradiktore, rivalizuese, të ashpërsuara, jo dhe aq tolerante deri në përjashtuese.

Vija politike e Rugovës, krahas mbështetjes në mënyrë të gjerë, të pa shoqe, në terma shifrore, natyrisht, ka pasur kundërshti, nga anëtarësia brenda partisë së tij, nga figura me peshë në Kosovë; ka pasur kritika, vërejtje deri në mohim të rolit pozitiv e përcaktues të I. Rugovës në ngjarjet historike të Kosovës. Ka pasur gazeta dhe individë që kanë shkruar veç negativisht për I. Rugovën si kryetar i LDK-së, si president i Kosovës në periudhën para pavarësisë; ka pasur gazeta dhe individë që kanë shkruar me kritikë asgjësuese për I. Rugovën si politikan dhe prijës popullor; ka pasur kritika dhe deklarime të rënda, akuzuese apo stigmatizuese, nganjëherë deri në linçim verbal, deri në përçudnim letrar për të si kryetar shteti në periudhën para shtetërore.

Kritika negative, këmbëngulëse nga njerëz të dalluar në Kosovë e Shqipëri, krijonte përshtypjen se ishte përtej kritikës së zakonshme, konstruktive. Fundja, kritizerët kundra individit Rugova, me vlera të dëshmuara intelektuale dhe atdhetare, edhe ata, mund ta bënin vetë veprimin e duhur politik, aksionin e duhur, organizimin e duhur; mund ta çelnin vetë një rrugë për t’i përvetësuar shpirtërisht masat, popullin; mund ta jepnin ata vetë shembullin e duhur si kryhen punët dhe të mos nguroseshin në llogoren: çfarë nuk bën mirë I. Rugova.

Si në periudhë me intensitet ngjarjesh, me shtypje dhe represion shtetëror sistematik ndaj një etnie të caktuar: shumicë absolute e popullsisë, dhe në Kosovën e asaj periudhe ‘bursa’ politike vlonte; idhujt lindnin lehtë dhe zbeheshin lehtësisht; grupet politike, partitë, formacionet krijohen me lehtësi e po ashtu mund të dobësohen; rezistenca, qëndresa mund të njihte trajta të ndryshme: debat publik, ballafaqim shkencor-akademik mbi të drejta humane, të drejta historike, të drejta kombëtare e kështu me radhë, deri në vet-mbrojtje të armatosur, deri në organizime ushtarake, të strukturuara qartë si ushtri çlirimtare për t’i sendërtuar aspiratat me çdo mjet.
Duke qëndruar te publicistika në Shqipëri, edhe pas rënies së diktaturës, shtypi vijonte të ishte partiak; gazetaria ‘e pavarur’ ishte prej individësh me lidhje partiake. Në Shqipërisë lajmet, komentet, prononcimet nuk kanë pasur pika të përbashkëta të asaj që mund të quhet interes i përbashkët kombëtar, nuk ka pasur koordinim a marrëveshje mes forcash dhe individësh me ndikim në shoqëri, për të mos qenë armiqësorë e përjashtues me njëri-tjetrin, të paktën në çështje thelbësore.

II-SHËNIME LUFTE
Në Kosovën e ngjarjeve historike po pasurohej ikonografia kombëtare. Krahas figurave të sistemuara si Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali, Isa Boletini, po kapnin kulmin e vëmendjes R. Qosja, I. Kadare, I. Rugova, Adem Jashari, prej protagonizmit, me mënyrat e tyre, në çështjet jetike. Kësaj ikonografike kombëtare do t’i vërshonin dhe emra heronjsh e dëshmorësh që do të binin në fushën e luftës për liri..
Qosja, Kadare, Rugova, ndërsa perceptoheshin së toku si korifenj të shqiptarisë e të mendimit humanist, në atë periudhë zhvillimesh tragjike e heroike njëkohësisht, në Kosovë, por edhe në Shqipëri, në formën e trazirave të brendshme civile, të shquar si krijues, ligjërues universitarë e autorë veprash letrare fondamentale për kulturën tonë moderne, nuk dalloheshin për njëmendësi mes tyre, përkundrazi. R. Qosja, në publicistikën e tij e bën shënjestër I. Rugovën, nuk ka mëdyshje për qëllimet dhe rrugët e ish kolegut të tij të Institutit Albanologjik; bindjet e anatemat e tij për Rugovën janë: veprimtaria e tij është kryekëput dhe vetëdijshëm në interes të Serbisë.
Ismail Kadare u kushton zhvillimeve në Kosovë dy vepra të reja, kësaj here midis ditarit dhe eseistikes; te “Ra ky mort e u pamë”, (2001), stigmatizon Rugovën e periudhës së masakrave në Kosovë. Më pas, në Kosovën e çliruar, gjen rast ta nderojë Rugovën me vizitë familjare në Prishtinë, sikurse Rugova, nga ana e tij, i përsërit vlerësimet që ka pasur për dhuntitë e rralla krijuese të Ismailit.
Rexhep Qosja, në letrën testamentare me udhëzime për funeralin e tij, nuk dihet nëse e ka parasysh edhe Rugovën kur shprehet, ‘nuk them se vdes pa mëkate’, dhe ‘nganjëherë jam treguar i ashpër’. Ajo që dihet është se ka qenë konstant pozicionimi i tij kundër Rugovës si dhe angazhimi i tij shkrimor e publicistik për ta diskretituar Rugovën dhe rugovizmin.
Nga Qosja e Kadare janë ditarët, përkatësisht, “Tronditja e shekullit, I, II” (Tiranë 2001), “Ra ky mort e u pamë”, (Tiranë 2000), mbajtur gjatë pranverës 1999, tablo e përgjithshme që pasurohet përditë me njoftime dhe terreni dhe pjesët për Rugovën. Ditari është i besueshëm për të parë mendimet e autorëve për Ibrahim Rugovën: ditari e ka regjistrimin e përditshëm për të rejat e rëndësishme, kështu ecet hap pas hapi me realitetin, nuk të shpëtojnë hollësitë me rëndësi shoqërore e historike, si dhe inkuadrohen përjetimet, gjykimet individuale, përkufizimet. Ditarët, krahas kohës së shkrimit të parë kanë kohën e përgatitjes për shtyp që do të thotë, mundësinë e saktësimeve të mëvonshme, ndreqjen e nxitimeve të rastit, shqyrtimin e përfundimeve. Nga përvoja ditarët e njerëzve të shquar dallojnë për intimitetin dhe sinqeritetin, për reflektimin dhe përgjegjësinë e komunikimit cilësor me publikun.
Megjithëse i përkasin kohës së luftës dhe të pasigurisë ekstreme për Kosovën dhe njerëzit e saj aty, përfshi dhe Rugovën, ditarët janë shkruar në kushte optimale: Qosja gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Kadare në Paris, në Tiranë. Ditarët janë ribotuar, me përmirësime, por pa përmirësuar qëndrimin ndaj Rugovës.

III. MODELI
Ibrahim Rugova, gjatë e pas luftës, u bëri ballë me sukses shkrimeve kundra, portretizimeve stigmatizuese e akuzave në shtyp… Emrin e tij mbajnë institucione arsimore e kulturore, në Shqipëri e në Kosovë, njësi urbane në kryeqytetet tona, çmime nderi e meritash që ndajnë krijuesit e studiuesit, krahas busteve, muraleve, statujës në qendër të Prishtinës. Në politikë, ku mendohej se ishte rishtar, rastësor, pa përgatitjen e duhur e mund ta kishte të përkohshëm projeksionin, autoritetin, ai dha shembullin e pakapërcyeshëm si popullaritetin e tij e të formacionit politik-partiak përkatës, edhe pas çlirimit, e dhuroi për konsolidimin shtetëror të Kosovës, e përdori në shërbim të shtet-bërjes, në dobi të krijimit të institucioneve funksionale si qeveri, kuvend.
Duke lënë pas vitet ‘90-të, nga sot vërejmë se ato nuk ishin vite të humbura, siç mund të llogariteshin nga ata që e përjetonin me skepticizëm çdo sekondë të aktualitetit. Supozimet se me I. Rugovën politikan, po humbasim mundësi të cilat rrallë vijë për popuj si ne, numerikisht të vegjël, nuk u vërtetuan. Përkundrazi, shohim se është bërë realitet një nga ëndrrat më të guximshme: Kosova ka shtetin e saj, simbolet e saj shtetërore, jetën e saj normale si shtet demokratik, vështirësitë e saj, të zakonshme për moshën.
Në panteonin tonë të historisë moderne, I. Rugova zë vend nderi në kulturë e në shkencë, krahas shumë kolegëve të tjerë nga bota shqiptare; si pak të tjerë, I. Rugova zë vend nderi edhe në fushën e mendimit politik dhe të veprimit atdhetar.
Unik e unifikues, në kulturë e në politikë, ai u ngrit nga e zakonshmja, nga rastësia në mbledhjen e radhës të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, vendosi dialog konstruktiv e informativ me faktorin e brendshëm, me shqiptarët kudo ku ishin dhe me faktorin ndërkombëtar, i cili u rreshtua krah nesh; Rugova krijoi mure indiference titanike ndaj çdo sulmi që i bëhej atij vetë, shpërfilli fjalë të rënda, të pa drejta, shpesh kërcënuese e denigruese, por nuk u ul në të tilla nivele. Ai, ndryshe nga çfarë prisnin oponentët e tij, kur u largua nga jeta njëzet vite më parë, nuk u venit, nuk u harrua, nuk mori me vete sekrete, enigma prej periudhës kur pranoi të ishte në ballë të një lëvizjeje politike-patriotike me kërkesa maksimale, Kosova, shtet i lirë e i pavarur. Thënë ndryshe, pas mbarimit të aktit të fundit të dramës rilindëse të Kosovës, në prapaskenat e sirtarët tashmë të hapur të saj, nuk u gjend asnjë provë për gabime dhe faje të Presidentit I. Rugova, në dëm të vendit dhe faktorëve të tjerë politikë shqiptarë, përkundrazi. Ai krijoji profil të lartë prej dijetari dhe shtetari; në rrethana tmerrësisht të pa favorshme, i shkoi pas me stoicizëm yllit të tij të fatit dhe ia doli mbanë duke merituar çdo epitet nderi me të cilin e kanë përkufizuar ata që e kanë njohur më mirë, ata që e kanë pasur përkrah.

spot_img

Latest articles

Related articles