Një qytet nuk rrënohet vetëm nga investimet e gabuara apo nga kriza ekonomike.
Ai shkatërrohet kur institucionet që duhet ta mbrojnë dhe zhvillojnë, kthehen në strehë të paaftësisë, klientelizmit politik dhe abuzimit.
Ky është realiteti i hidhur që po përjetojnë shumë qytetarë sot në Vlorë : drejtues lokalë që kanë uzurpuar institucionet dhe rezultatet e punës së tyre janë abuzime, humbje financiare, degradim shërbimesh dhe mosbesimi. Po të shikojmë raportet e KLSH-së të institucioneve dhe bilancet financiare duket qartë çdo gjë.
Në një qytet si Vlora administrata duhet të jetë motori i zhvillimit ekonomik, por ndërkohë ajo është shndërruar në një makineri presioni dhe abuzimesh. Thuajse çdo institucion lokal raporton probleme të thella, mungesë efikasiteti dhe humbje të vazhdueshme, ndërsa drejtuesit e tyre vazhdojnë të riciklohen në poste, duke treguar qartë se dështimi dhe vjedhjet janë kriter promovimi.
Ironia më e madhe është se shumë prej tyre paraqiten me diploma të shumta universitare, por në praktikë nuk arrijnë të demonstrojnë as njohuritë bazë të menaxhimit, ekonomisë apo administrimit publik.
Në aspektin ekonomik, kjo paaftësi ka pasoja të drejtpërdrejta: fondet publike keqpërdoren, projektet realizohen pa standarde, investimet nuk japin kthim dhe qytetarët paguajnë faturën përmes taksave më të larta dhe shërbimeve më të dobëta. Drejtorët e paaftë nuk janë vetëm problem politik; por barrë ekonomike që frenon zhvillimin e qytetit dhe largojnë çdo mundësi ekonomike.
Edhe më shqetësues është roli i Këshillit Bashkiak të Vlorës, ku një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve janë pedagogë dhe mesues — njerëz që supozohet të jenë zëri i arsyes dhe i formimit të brezit të ri. Heshtja e tyre për çështje jetike si arsimi, cilësia e edukimit apo politikat për të rinjtë, është bërë simbol i konformizmit.
Të jesh intelektual në letër, por i heshtur në vendimmarrje, është një dështim i dyfishtë: ndaj profesionit dhe ndaj shoqërisë.
Ndërkohë, në mbledhjet të ndryshme, qytetarët shohin po të njëjtët emra, po të njëjtët drejtues, të cilët prej vitesh janë pjesë e problemeve që kanë rënduar mbi qytetin. Ata shfaqen si përfaqësues të ndryshimit, ndërkohë që janë simboli i abuzimeve. Rilindja po riciklon figura të dështuara dhe kthen politikën lokale në një rreth vicioz, ku përgjegjësia humbet dhe dështimi normalizohet.
Zgjidhja është e qartë: institucionet duhet të depolitizohen. Drejtimi i tyre nuk mund të mbetet pronë e militantëve apo e individëve që i mbijetojnë çdo dështimi falë mbështetjes politike apo afërsisë me drejtuesit politik. Qyteti ka nevojë për profesionistë të aftë, administratorë me integritet dhe njerëz që maten me rezultate, jo me numrin e diplomave të blera të varura në mur apo me afërsinë ndaj partisë.
Nëse kjo nuk ndodh, pasojat do të jenë shumë të rënda: një qytet që humbet ekonominë, humbet rininë, humbet arsimin dhe, në fund, humbet të ardhmen.
Vlora nuk po vuan nga mungesa e potencialit; po vuan nga abuzimi sistematik i atyre që duhet ta kishin zhvilluar. Dhe kjo është forma më e rrezikshme e varfërisë: varfëria e drejtimit. Prandaj ka ardhur momenti që cdo zë duhet të kërkojë ndryshimin.



