Policia e Tiranë ka zbuluar këtë të martë një apartament i cili ishte përshtatur si call center. Në kuadër të operacionit të koduar “Adapted”, ka rënë në pranga një 25-vjeçare, Melisa Saraçi, e cila mashtronte të huajt që të investonin në bursa fiktive.
Ndërkohë, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 13 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 5 celularë dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë dokumentimit të kësaj veprimtarie kriminale.
“Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DPPSH, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Adapted”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasja M. S., 25 vjeçe, banuese në Tiranë.
Shërbimet e Policisë ndërhynë në apartamentin në posedim dhe administrim të 25-vjeçares, në rrugën “Tish Daija”, i cili ishte përshtatur si call center, nga ku dyshohet se mashtroheshin shtetas të huaj që të investonin në bursa fiktive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 5 celularë dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë dokumentimit të kësaj veprimtarie kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë



