Personi që hapi zjarr mbrëmjen e së shtunës gjatë darkës së gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë është identifikuar si Cole Allen nga Torrance, Kaliforni. Presidenti Donald Trump e përshkroi atë si një “lone wolf whack job”, duke shtuar se “dukej mjaft i rrezikshëm”.
31-vjeçari, i identifikuar nga burime federale të zbatimit të ligjit, u arrestua pasi dyshohet se hyri në hotelin Washington Hilton dhe u drejtua me shpejtësi drejt sallës së madhe ku Trump dhe rreth 2,500 të ftuar ishin mbledhur për eventin.
Të shtënat nisën pranë zonës së kontrollit të sigurisë brenda hotelit pak pas orës 20:30, pikërisht në momentin kur po shërbehej sallata në darkën zyrtare. Agjentët e Shërbimit Sekret e nxorën menjëherë presidentin Trump nga salla, ndërsa anëtarë të kabinetit të tij dhe të ftuar të tjerë u strehuan nën tavolina përpara se të evakuoheshin edhe ata nga ambienti.



