Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri që prej vitit 2018, udhëheq institucionin përgjegjës për hetimin dhe trajtimin e rasteve të diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes në vend.
Në një intervistë për BIRN, Gajda shpjegon se si gjuha e urrejtjes po përhapet dhe amplifikohet në mjedisin online përmes rrjeteve sociale, mediave dhe diskursit politik, duke vënë në shënjestër veçanërisht grupe të caktuara shoqërore si komuniteti LGBT, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara.
Ai paralajmëron se ky fenomen jo vetëm përforcon stereotipet dhe paragjykimet ekzistuese, por mund të krijojë pasoja reale për komunitetet e prekura – nga përjashtimi social deri tek krimet e urrejtjes, ndërsa thekson se balanca mes lirisë së shprehjes mbetet një nga sfidat kryesore për shoqërinë shqiptare.
“Diskriminimi në mjedisin online lidhet kryesisht me gjuhën e urrejtjes,” tha Gajda, duke theksuar se kjo gjuhë përhapet në forma dhe kanale të ndryshme.
Sipas Gajdës, një nga mënyrat problematike se si përhapet gjuha e urrejtjes lidhet me përmbajtjet që fillimisht shfaqen në televizione dhe më pas shpërndahen në internet përmes videove apo artikujve online, të cilët shpeshherë që nga titulli mbartin tone paragjykuese ose diskriminuese.
Një tjetër dimension janë komentet e qytetarëve në platformat online, ku vihet re një përdorim i shtuar i gjuhës ofenduese.
Po ashtu, ai thekson se edhe gjuha e përdorur në Kuvendin e Shqipërisë mund të përhapet dhe të amplifikohet më tej nga mediat online dhe rrjetet sociale.
Përveç këtyre, ekzistojnë edhe raste kur individë të veçantë bëhen objekt i gjuhës së urrejtjes përmes mesazheve personale në internet. Sipas tij, këto forma tregojnë se fenomeni ka shumë dimensione dhe shfaqet në mënyra të ndryshme në mjedisin online.
Sipas Gajdës, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi trajton raste të gjuhës së urrejtjes që shfaqen si në media tradicionale ashtu edhe në internet, kryesisht mbi bazën e ankesave që paraqiten nga organizata të shoqërisë civile. Në disa raste, institucioni nis edhe hetime me iniciativën e vet, kur vlerësohet se përdorimi i gjuhës mund të ketë tejkaluar kufijtë e lirisë së shprehjes dhe të ketë cenuar të drejtat e grupeve të caktuara.
“Në pjesën më të madhe ne administrojmë ankesa, por nuk kanë munguar dhe rastet kur institucioni ka gjykuar që të nisi vetë një çështje “ex-officio”,” tha Gajda.
Sipas tij, vlerësimi i rasteve përqendrohet nëse gjuha e përdorur lidhet me një nga shkaqet e mbrojtura nga Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe nëse merr në shënjestër një grup të tërë individësh. Këtu përfshihen, ndër të tjera, përdorimi i aftësisë së kufizuar për të ofenduar dikë, gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit LGBT për shkak të paragjykimeve homofobike, gjuha seksiste ndaj grave apo deklarata me konotacion fetar.
Megjithatë, hetimi i rasteve në internet shpesh has vështirësi praktike. Sipas Gajdës, mungesa e rregullimit të qartë të tregut online dhe anonimati në internet e bëjnë të vështirë identifikimin e personave përgjegjës.
“Kemi hasur vështirësi në identifikimin ligjor të personit përgjegjës, në mënyrë që institucioni t’i dërgojë shkresën zyrtare dhe të marrë më pas parashtrimet, argumentet dhe të garantojë procedurën kontradiktore,” tha Komisioneri.



