Administrata Tatimore ka njoftuar se deri më 30 maj 2026, të gjithë tatimpaguesit që kryejnë shitje me para në dorë do të duhet të pajisen me pajisje POS/POI në çdo pikë shitjeje. Ky detyrim përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh, si strukturat akomoduese (përfshirë hotelet, bujtinat, resortet dhe format e tjera të qëndrimit), shërbimet në sektorin e transportit, si dhe institucionet publike dhe shoqëritë me kapital shtetëror. Ky hap vjen në kuadër të përpjekjeve për modernizimin dhe formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë.
Sipas Administratës Tatimore, përdorimi i pajisjeve POS/POI synon të përmirësojë cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit ndaj klientëve, të lehtësojë procesin e pagesave dhe të rrisë transparencën në transaksione. Njëkohësisht, kjo masë pritet të mbështesë zhvillimin dhe formalizimin e sektorit turistik. Autoritetet u bëjnë thirrje tatimpaguesve që të marrin masat e nevojshme brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që të shmangin penalitetet dhe masat administrative.



