Skandali i AKSHI-t| Apeli i GJKKO urdhëron SPAK të hetojë penalisht dëshmitarin kyç, Daniel Shima

spot_img
Advertisements

Elton Qyno

Daniel Shima, i konsideruari nga SPAK si dëshmitari “kyç” në shpjegimin e aferave të paracaktimit të fituesve në tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit (AKSHI), rezulton të jetë njëri nga përgjegjësit kryesorë të këtyre aferave, por që çuditërisht prokurorët e posaçëm të SPAK, ende nuk kanë ngritur zyrtarisht një akuzë penale kundër tij.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se prezenca e Daniel Shimës, në këtë veprimtari kriminale, është konstatuar edhe nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, e cila këshillon dhe orienton dy prokurorët e çështjes penale me Nr.20/1, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, që të ushtrojnë ndjekjen penale ndaj ish-zv/drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima.

Ndjekja penale duhet të orientohet edhe tek punonjësit Emirton Suli, Meri Manaj, Helena Papa, Denis Molla, Ingrida Luzha, Ersila Qeramixhiu, Brixhilda Sinanaj, Aurel Vrenos dhe Enklid Pelari, të cilët kanë qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në tendera të caktuar, si dhe njëherësh kanë firmosur disa praktika.

Sipas dosjes hetimore në muajin dhjetor 2025 dhe janar 2026, Daniel Shima është marrë 3 herë në pyetje në ambientet e prokurorisë së posaçme SPAK.

Në dëshmitë e tij, Shima ka treguar se ai, së bashku me anëtarë të tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë kryer të gjitha veprimet kriminale në paracaktimin e fituesit, duke u orientuar nga Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Sipas rrëfimit të Daniel Shimës, Mirlinda Karçanaj “pilotonte” shpalljen e fituesit të tenderave.

Ndërsa Shima, së bashku me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ishin thjesht zbatues të urdhëresave dhe direktivave që jepnin dy zonjat e vëna tashmë në ndjekje penale nga SPAK dhe me masë sigurie “Arrest shtëpie”.

Por rrëfimet e Daniel Shimës, Emirton Sulit dhe personave të tjerë, janë të karakterit penal, ndaj Gjykata e Apelit të Posaçëm ka orientuar prokurorët e SPAK që të ushtrojnë ndjekjen penale ndaj tyre, pasi rezulton të kenë vënë në zbatim urdhëra kriminalë dhe krijuar gara fiktive.

“…nga provat e relatuara në pjesën e rrethanave të çështjes, Daniel Shima, Emirton Suli, Meri Manaj, Helena Papa, Migena Schroeder, Denis Molla, Ingrida Luzha, Ersila Qeramixhiu, Brixhilda Sinanaj, Aurel Vrenos, Enklid Pelari, në deklarimet e bëra para policisë gjyqësore japin njoftime se procedurat e prokurimit, objekt hetimi, kanë qenë të paracaktuara rezultatet. Se gjithçka ishte fiktive në realizimin e këtyre procedurave ligjore, duke qenë se ofertat zgjidheshin me urdhër të titullarit dhe zëvendësit, dhe kjo gjë ka ndodhur para dhe pas vitit 2024)…” -thuhet në dokumentet e siguruara nga gazetari Elton Qyno.

Sipas dëshmisë së Daniel Shimës dhe personave të tjerë anëtarë të KVO-së, kriteret e padrejta përjashtuese të operatorëve ekonomikë diktoheshin nga jashtë institucionit dhe parashikoheshin me urdhër të titullarit apo me interpretimin e zëvendësit si kritere për pranimin dhe skualifikimin e operatorëve ekonomikë.

Gjithashtu, Shima ka dëshmuar se rriteshin fiktivisht fondet limite përmes manipulimit të ofertave dhe zërave të çmimeve të produkteve në preventivet e paraqitura të këtyre procedurave të prokurimit publik dhe se grupet e punës, njësitë e prokurimit.

Shima ka treguar se Komisionet e Vlerësimit të Ofertave dhe komisionet e shqyrtimit të ankimeve ngriheshin dhe funksiononin vetëm formalisht për të legalizuar një punë të paravendosur dhe parapërfunduar.

Ai shpeshherë ka qenë anëtar në këto komisione dhe ka zbatuar të gjitha urdhërat që vinin nga lart, duke iu referuar Mirlinda Karçanaj.

Nisur nga kjo situatë, Gjykata e Apelit të Posaçëm sqaron në vendimin e saj: “…për të gjithë përgjegjësit eventualë të këtyre veprave penale do të duhet të adresohet një zgjidhje ligjore në vijimin e hetimeve paraprake…”

Në kërkim për vepra të rënda kriminale është Ermal Beqiri.

spot_img

Latest articles

Related articles