Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forum 26 – qëndrim për protestën e studentëve për Gjuhën shqipe në Shkup

spot_img
Advertisements

DEKLARATË E FORUMIT 26 PËR TË DREJTËN E PËRDORIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË MAQEDONINË E VERIUT

Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forum 26 shpreh mbështetjen për studentët shqiptarë në Shkup, të cilët ngritën zërin për mbrojtjen e një të drejte themelore dhe kushtetuese: përdorimin e gjuhës shqipe.

Ne e vlerësojmë zërin e studentëve shqiptarë si shprehje të pjekurisë qytetare dhe të përgjegjësisë publike. Ai meriton të dëgjohet me seriozitet dhe respekt nga mekanizmat shtetërorë që sigurojnë drejtësinë dhe kohezionin social, sepse barazia fillon aty ku gjuha e tjetrit respektohet si e drejtë e patjetërsueshme.

Ka çaste kur një kërkesë qytetare tejkalon kufijtë e një procedure, interpretimi apo të një praktike administrative dhe merr peshën e një dëshmie më të thellë: dëshmisë se gjuha është dinjitet, kujtesë dhe e drejtë.

Për ne, si forum shkrimtarësh, gjuha shqipe nuk është vetëm mjet shprehjeje, ajo është shtëpia e kujtesës sonë, hapësira ku ruhen përvojat, historia dhe vetëdija jonë kolektive.

Ne kemi bindjen se gjuha është atdheu ynë i përbashkët dhe, si e tillë, ajo nuk mund të mbetet peng i procedurave administrative apo i interpretimeve kufizuese subjektive të ligjit.

Prandaj, çdo kufizim i përdorimit të saj në arsim dhe në fushat profesionale, nuk është vetëm një padrejtësi praktike, por edhe një cenim i drejtpërdrejtë i barazisë dhe i dinjitetit njerëzor.

Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forum 26 u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që kjo çështje të trajtohet me përgjegjësi institucionale dhe me respekt të plotë për të drejtat kushtetuese gjuhësore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forum 26

spot_img

Latest articles

Related articles