Kompania, ONE Albania ka njoftuar zyrtarisht përdoruesit e saj se duke filluar nga data 1 maj 2026, do të aplikojë një rritje të tarifave për shërbimet celulare.
Në një mesazh të ndarë për të gjithë abonentët, ONE argumenton se rritja do të jetë deri në 2.2% mbi tarifën standarde të planit aktual tarifor, ndërsa shton se shkak për këtë ndryshim është bërë inflacioni.
“I nderuar Pajtimtar! ONE Albania ju njofton se me efekt nga data 1 Maj 2026, do të përshtatë tarifat për shërbimet celulare bazuar në ndryshimin mesatar vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit (ICK) të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në nivelin jo më shumë se 2.2% mbi tarifën standarde të planit Tuaj tarifor. Kjo përshtatje kryhet ne përputhje me kushtet e kontratës së pajtimit. Ju mund të gjeni në këtë link https://rb.gy/uh8ixt tarifën e përditësuar të planit tuaj tarifor. Për më shumë info, ju lutem kontaktoni 123. Faleminderit”- thuhet në njoftim.
Ndërkohë, ky mesazh ka shkaktuar reagime te përdoruesit, të cilët e shohin çdo rritje çmimi si barrë shtesë në një periudhë ku kostot e jetesës janë rritur. Për shumë abonentë, edhe një rritje e vogël përkthehet në shpenzime më të larta mujore.
Sakaq, kjo nuk është hera e parë që kompania ONE abuzon me situatën duke njoftuar rritje të paketave celulare.




