Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin nga detyra të kreut të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Rigers Sheqeri, ndërkohë që hetimet vijojnë të thellohen për një skemë të dyshuar abuzimi me lejet dhe ndërtimet në kryeqytet.
Sipas burimeve për “MaShqip”, masa e sigurisë është vendosur me kërkesë të prokurorit Julian Xhengo, i cili ka paraqitur prova dhe dyshime të forta se Sheqeri ka lejuar ndërtime të paligjshme brenda një kompleksi banimi në pronësi të një ndërtuesi të njohur shtetasit P.C. Ndaj këtij të fundit është caktuar gjithashtu masa e bllokimit të pasaportës, për të penguar largimin nga vendi.
Me të njëjtin vendim, gjykata ka shpallur në kërkim edhe dy inspektorë të IMT-së, duke ngritur dyshime për një rrjeti të strukturuar brenda institucionit, i cili në vend të zbatimit të ligjit, mund të ketë toleruar ose favorizuar ndërtime pa leje.
Ndaj Sheqerit rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”, pasi dyshohet se ka toleruar ndërtime të paligjshme në zonat periferike të Tiranës, ndërsa paralelisht ka zbatuar aksione për prishjen e objekteve në qendër, në kuadër të urdhrave të qeverisë.
Ky nuk është rasti i parë që emri i tij përfshihet në akuza. Më herët, banorë të zonës së Unazës e kanë denoncuar publikisht, duke pretenduar se përmes ndërmjetësve u janë kërkuar deri në 10 mijë euro në këmbim të favorizimeve apo shmangies së prishjes së objekteve.
Po ashtu, emri i tij është përmendur edhe në mediat italiane, ku dyshohet se është përfshirë në raste të vjedhjes së automjeteve, të cilat më pas shiteshin në Shqipëri. Një rast i tillë përmendet në vendimin nr. 802, datë 21 korrik 2007.



