nga Gjergji Nika
Në Vlorë, Partia Demokratike e Shqipërisë prezantoi drejtuesin e ri politik. Një vendim që nuk ngjan as me strategji, as me reflektim, por me një lëvizje të pakuptimtë të emërtuar si riorganizim, më shumë si eksperiment sesa si zgjidhje. Dhe eksperimente në një terren të minuar si PD Vlorë, zakonisht përfundojnë në dështim të parashikueshëm.
Me gjithë respektin për individin, problemi është i thjeshtë: nuk e njeh Vlorën, nuk njeh partinë në Vlorë, nuk njeh njerëzit e saj dhe, mbi të gjitha, nuk ka rrënjë në këtë terren. Dhe politika në Vlorë nuk është powerpoint që e prezanton bukur dhe funksionon. Është terren i ashpër, me konflikte, interesa, histori dhe kujtesë të gjatë.
Pra, problemi nuk është individi, por konteksti. Nuk mjafton të jesh “i dërguar nga lart” për të udhëhequr një degë që prej vitesh endet mes përçarjesh, mosbesimit dhe rrudhjes së mbështetjes. Vlorën duhet ta njohësh. Duhet të njohësh njerëzit, historinë e brendshme të strukturave, lidhjet informale, grupimet, plagët e vjetra dhe ambiciet e reja. Duhet të kesh rrjet, ndikim, besim, jo thjesht një mandat formal.
Sa do të mundet një ish-deputet nga një realitet tjetër politik të “mbledhë”, “mobilizojë” dhe mbi të gjitha të “bashkojë” një parti që nuk është bashkuar dot as nga figura që kanë dekada investim politik në këtë qytet? Sa kohë i duhet dikujt që të lexojë terrenin, kur zgjedhjet lokale janë më afër sesa duket? Dhe sa realist është pretendimi që një i deleguar politik të afrojë të larguarit dhe të pakënaqurit, kur vetë ardhja e tij perceptohet si imponim?
Kjo zgjedhje duket e nxituar dhe, më keq akoma, e gabuar.
A mos vallë kemi të bëjmë me një “qokë” politike, një mënyrë për të sistemuar dikë, duke e dërguar në një betejë të humbur?
Apo është një formë e heshtur dorëzimi përballë realitetit të zymtë të PD në Vlorë, një alibi e parapërgatitur për humbjen e radhës?
Ndryshe nuk shpjegohet kjo arrogancë ndaj realitetit. Në një qytet që ka prodhuar figura politike me peshë, zgjedhja bie mbi një të huaj politik, ndërkohë që anashkalohen njerëz që e njohin çdo qelizë të partisë.
E vërteta është se Vlorë nuk ka mungesë figurash. Përkundrazi, ka prodhuar ndër vite politikanë me profil, me ndikim dhe me lidhje reale me bazën. Një prej tyre është Atird Hoxha – një zë opozitar i artikuluar, aktiv në këshillin bashkiak dhe i pranishëm në debatin publik kombëtar. Një figurë që e njeh partinë nga brenda, që e ka provuar peshën e garës duke humbur mandatin e deputetit për pak vota, dhe që gëzon respekt te demokratët vlonjatë, që e ka fituar respektin jo me emërim, por me përballje. Që e njeh strukturën, njerëzit dhe, më e rëndësishmja, zhgënjimin e tyre.
Nëse synimi do të ishte ringritja reale, zgjedhja do të duhej të vinte nga brenda, jo të importohej. Partitë nuk ndërtohen me delegime, por me besim. Nuk bashkohen me urdhra, por me legjitimitet. Kollovarë politikë që vijnë për të drejtuar një “tren” që nuk e njohin, mbi shina që nuk i kanë parë kurrë. Dhe pastaj çuditen pse demokratët nuk hipin në tren.
Nuk hipin, sepse nuk besojnë te drejtuesi. Nuk besojnë, sepse nuk e ndjejnë si të tyrin. Dhe kur baza nuk të njeh, nuk të ndjek, të duron për pak dhe pastaj të braktis.
Dhe këtu qëndron thelbi: në vend që të vendoset në krye dikush që mund të tërheqë demokratët drejt një “treni” të ri politik, po vendoset një figurë që rrezikon t’i largojë edhe ata pak që kanë mbetur në stacion.
Kjo nuk është thjesht një zgjedhje e gabuar.
Është deklaratë dorëzimi e maskuar si emërim. Një pranim i heshtur që PD në Vlorë nuk po kërkon më të fitojë.
Dhe kjo është ndoshta gjëja më e rëndë: nuk gabon më nga paaftësia, por nga mungesa e vullnetit dhe e besimit për të fituar.



