Numri i llogarive bankare të huaja në Shqipëri vazhdoi të rritet gjatë vitit 2025, duke arritur nivelin më të lartë historik.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, individët dhe kompanitë jorezidente zotëronin 76,279 llogari bankare në sektorin bankar shqiptar. Krahasuar me vitin 2024, kur numri i tyre ishte 71,845, kjo rezulton në një rritje prej rreth 6%.
Të huajt kanë 77 mijë llogari në bankat shqiptare
Sipas ndarjes së llogarive, shumica dërrmuese e jorezidentëve që përdorin bankat shqiptare janë individë. Në vitin 2025, rreth 73,702 u përkasin individëve, ndërsa vetëm 2,577 janë në emër të kompanive. Kjo do të thotë se rreth 97% e llogarive jorezidente dominohen nga individë.
Ecuria ndër vite tregon një zgjerim të qëndrueshëm të këtij treguesi, veçanërisht pas vitit 2019. Megjithatë, tendenca nuk ka qenë lineare gjatë gjithë periudhës. Pas një rritjeje të fortë në vitin 2011, kur numri i llogarive arriti në mbi 31 mijë, u regjistrua një rënie në vitet në vijim, përpara se treguesi të hynte në një trajektore të qëndrueshme rritjeje në dekadën e fundit.
Të huajt kanë 77 mijë llogari në bankat shqiptare
Pavarësisht rritjes së numrit të llogarive jorezidente, pjesa e tyre në sistemin bankar total mbetet e ulët. Në vitin 2025, ato përbënin rreth 1.8% të llogarive totale, pak më pak se një vit më parë, për shkak të zgjerimit më të shpejtë të llogarive të rezidentëve.
Zgjerimi i llogarive jorezidente lidhet kryesisht me praninë e emigrantëve shqiptarë që mbajnë kursimet e tyre në bankat lokale, por edhe me interesin në rritje të qytetarëve të huaj për të investuar në Shqipëri, veçanërisht në pasuri të paluajtshme.
Të dhënat sugjerojnë një thellim gradual të lidhjeve financiare të jorezidentëve me sektorin bankar shqiptar, megjithëse pesha e tyre në sistemin total mbetet relativisht e kufizuar.



