Peter Thiel, miliarderi amerikan i kapitalit sipërmarrës dhe mbështetës i hershëm i presidentit Donald Trump, nisi të dielën në Romë një seri leksionesh me dyer të mbyllura, ku po eksploron konceptin e Antikrishtit.
Aktiviteti ka tërhequr vëmendjen e komentuesve katolikë, njofton reuters.
Konferenca, vetëm me ftesë dhe që do të zgjasë deri të mërkurën, nuk është e hapur për shtypin dhe vendndodhja e saj nuk është bërë publike. Organizatorët, të cituar nga media, thonë se pjesëmarrësit vijnë nga qarqet akademike, teknologjike dhe fetare.
Bashkëthemelues i kompanisë Palantir Technologies, një kompani softuerike e inteligjencës artificiale me lidhje të forta me agjencitë amerikane të mbrojtjes dhe inteligjencës, Thiel vitet e fundit i ka kushtuar gjithnjë e më shumë vëmendje ideve fetare dhe filozofike.
Vitin e kaluar ai mbajti një seri të ngjashme diskutimesh në San Francisko, duke eksploruar mundësinë që Antikrishti, një figurë që kundërshton ose mohon Krishtin, të mund të shfaqet në skenën globale.
Në veçanti, Thiel ka paralajmëruar se një figurë e tillë mund të shfaqet duke premtuar një qeveri botërore, me arsyetimin se do të ndalonte katastrofa të mëdha, si ato bërthamore, të lidhura me inteligjencën artificiale ose me ndryshimet klimatike.
Thiel, 58 vjeç, u rrit në një familje të krishterë ungjillore dhe ka deklaruar se krishterimi formëson mënyrën se si ai e sheh botën.
Vizita e tij ka tërhequr vëmendjen e Kishës Katolike Romake, e cila, nën drejtimin e Papa Leonit, papa i parë amerikan, ka kritikuar hapur disa nga politikat e krahut të djathtë të Donald Trump. Leo ka paralajmëruar gjithashtu për rreziqet që paraqet inteligjenca artificiale.
Universitetet katolike në Romë kanë mohuar spekulimet e shtypit se mund të jenë organizatore të aktivitetit. Sipas agjendës zyrtare të papës, nuk është planifikuar asnjë takim mes Thiel dhe Papa Leonit.
At Paolo Benanti, i cili këshillon papën për inteligjencën artificiale, shkroi në një ese të botuar të shtunën se Thiel vepron si një “teolog politik” brenda Silicon Valley.
“I gjithë veprimi i Thiel mund të lexohet si një akt i zgjatur herezie kundër konsensusit liberal: një sfidë ndaj vetë themeleve të bashkëjetesës civile, të cilat ai tani i konsideron të vjetruara”, shkroi Benanti në faqen e internetit Le Grand Continent.
Artikulli mbante titullin: “Herezia amerikane: a duhet të digjet në turrën e druve Peter Thiel?”
Gazeta L’Avvenire, në pronësi të konferencës së peshkopëve italianë, botoi gjithashtu një seri artikujsh javën e kaluar me tone shumë kritike ndaj Thiel.
Një nga artikujt paralajmëronte se drejtuesve të kompanive të teknologjisë nuk duhet t’u lihet në dorë përcaktimi i kufijve etikë të veprimtarisë së tyre, duke argumentuar se qeveritë duhet të mbrojnë mbikëqyrjen demokratike të platformave dixhitale dhe të kundërshtojnë përhapjen e dezinformimit.
Thiel mban lidhje të ngushta me figura të rëndësishme në Uashington, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, i cili vetë është konvertuar në katolicizëm. Prania e Thiel në Romë vjen pas një serie vizitash në Itali nga figura të njohura të lidhura me lëvizjen konservatore amerikane, përfshirë Steve Bannon, Elon Musk dhe vetë Vance.
Sipas agjendës zyrtare të kryeministres Giorgia Meloni, nuk është planifikuar asnjë takim mes saj dhe Thiel



