Na ka dëshpëruar aq keq bllokimi i drejtësisë dhe integrimit nga Rilindja sa vendosa të bëj një status pozitiv për pak ndryshim atmosfere:
- Është e vërtetë që kemi 100 probleme, por edhe vende të shkatërruara 100 herë më keq nga lufta janë rimëkëmbur shpejt. Asnjë vend nuk rrënohet ndonjëherë në mënyrë të pakthyeshme. Shqipëria do t’i mbijetojë edhe Rilindjes siç i ka mbijetuar edhe komunizmit dhe luftërave.
- Sot ekziston një opozitë morale që është më e madhe se opozita politike. Kjo opozitë morale përfshin edhe shumë socialistë që duan një parti socialiste të ndershme dhe në shërbim të vendit. Populli nuk është i ndarë moralisht sipas vijave partiake, por sipas vijave morale. Disa e pranojnë e mbrojnë korrupsionin, ndërsa disa e përbuzin. Edhe ata që e pranojnë si të pashmangshëm nuk do të thotë se e duan. Morali nuk ka vdekur. Njerëzit e bëjnë dallimin mes të mirës e të keqes. Thjesht ka demoralizim. Ky demoralizim duhet luftuar.
- Korrupsioni qeveritar mund ta pengojë integrimin politik e ekonomik të vendit, por nuk pengon dot integrimin në aspekte të tjera që nuk varen prej qeverisë. Rinia shqiptare sot mendon e arsyeton njësoj si rinia evropiane. Unë jam i bindur se brezat e rinj do të kenë pritshmëri më të larta se brezat e mëparshëm, sepse e kanë parë të mirën me sy dhe e presin. Disa modele të gabuara të rinjsh në politikë nuk përfaqësojnë rininë në përgjithësi dhe nw fakt janw kthyer nw modele qw dwshmojnw problemet nw vend qw tw joshin pwr t’i ndjekur. Mos harroni, ju që jeni sot 40-60 vjeç dhe ankoheni për brezat e rinj dikur keni qenë objekt ankese nga brezi i prindërve tuaj që ankoheshin për ju.
- Hapja e vendit ndaj turizmit do t’i ndihmojë shqiptarët të vlerësojnë atë që vlerësojnë të huajt tek ne. E keni vënë re besoj që paralelisht me rritjen e turizmit po rriten edhe investimet në kuzhinën tradicionale ose aktivitetet kulturore. Tregu i jep vlerë edhe ruajtjes së kulturës, sepse kultura nuk ruhet thjesht për nostalgji, por mbi të gjitha kur është burim të ardhurash.
- Mes gjithë vështirësive e pengesave nga shteti sipërmarrjet shqiptare ia dalin të zhvillohen, madje edhe të investojnë në rajon. Ndërveprimi ekonomik me Kosovën po rritet.
- Marrëdhënia mes shqiptarëve në rajon po përmirësohet fuqishëm. Kush i mban mend vitet ’90 e ‘2000? Mes shqiptarëve bënin kërdinë stereotipet e kosovarit pasanik në Tiranën e varfër të 1992-shit, ose në Kosovë stereotipi i “rebelit të Shqipnisë” që kishte shkatërruar shtetin në 1997. Sot shqiptarët në Ballkan e shohin njeri-tjetrin si pjesë të të njëjtës familje e kulturë. Ku ka pamje më emocionuese se të shohësh stadiumin e Hambugut ose Dortmundit me 40.000 shqiptarë që nuk i dallon dot më nga njeri-tjetri duke kënduar të njëjtat këngë e duke shpërthyer në delir për të njëjtët gola! 40.000 shqiptarë që njeri-tjetrin nuk e thërrasin më “kosovar”, “maqedonc” apo “i Shqipnisë”, por thjesht “shqipe”.
- Ankohemi pafund për arsimin, por sot në mes të mediokritetit kemi edhe një grup shkollash shumë të mira që krahasohen me shkollat më të mira evropianë. Këto shkolla duhen marrë si standard e model për gjithë sistemin arsimor.
- Aty ku shteti nuk ka kontroll edhe shëndetësia funksionon. A e dini se Shqipëria po i bën konkurrencë gjithnjë e më të madhe vendeve të rajonit, por edhe BE-së për turizmin shëndetësor? A i shihni rrugëve të Tiranës të huaj me fasho në kokë e hundë që vijnë këtu për të rregulluar hundën apo dhëmbët?
- Për herë të parë kemi një brez shqiptarësh që na bëjnë krenarë në botë me punën e tyre. Jo vetëm futbollistë e muzikantë, por edhe shkencëtarë e sipërmarrës si Mira Murati. Apo ligjvënës në Evropë e SHBA.
- Ndryshe nga koha e komunizmit nuk jemi vetëm në rrugën tonë. SHBA-të dhe BE-ja janë certifikuar moralisht nga shqiptarët si garantë të demokracisë sonë. Trysnia e tyre është pozitive në politikën tonë. Shqipëria është vend i NATO-s dhe askush nuk ka frikë sot nga sulme të huaja. Ju kujtohen vizat që merrnim me 100 siklete në ambasada? Nuk ka më.
- Krimi i organizuar nuk është aq i fortë sa duket. Duket i fortë vetëm sepse mbrohet nga shteti. Një qeveri tjetër mund ta heqë qafe pa probleme.
Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm. Kemi malet e Zvicrës me detin e Greqisë dhe histori mijëravjeçare. Jemi popull që duam shumë dhe mësojmë shpejt nga të tjerët.
Nga ne kërkohet që t’i japim besim njeri-tjetrit, të mos shihemi si armiq. Të punojmë me ndershmëri dhe të mos i dorëzohemi shembujve të këqinj. Të pandershmit nuk janë shumicë, janë thjesht më aktivë dhe më të motivuar. Por shumica do të një vend ku të ketë drejtësi, ku të fitosh me djersën e ballit, ku të pasurohesh pa patur nevojë për tenderat e shtetit, ku të shkollosh fëmijët dhe të kurohesh njësoj si në Evropë.
Shumica prej nesh e duan të mirën. Por nuk duhet ta presim. Duhet ta kërkojmë dhe të luftojmë për të.



