Lufta në Iran, sa të sigurtë jemi? – ANALIZA nga Rildo Ngjela

spot_img
Advertisements

Rildo Ngjela

Asnjë luftë nuk ka mbetur kurrë brenda kufirit të saj gjeografik. Ajo që fillon mijëra kilometra larg, ndikon ekonomitë, politikën dhe sigurinë kombëtare të shteteve, përfshi këtu edhe ato që nuk janë pjesë e saj. Për Shqipërinë, lufta në Lindjen e Mesme mund të duket e largët për shkak të iluzionit gjeografik, por implikimet e saj strategjike nuk janë. Si anëtare e NATO-s dhe një aleate e ngushtë me vendet e përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë në luftën që po zhvillohet në Lindjen e Mesme, Shqipëria pashmangshmërisht është pjesë e një peisazhi më të gjerë të sigurisë, si shkak i këtyre zhvillimeve. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se vendi përballet me një kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak. Por, kjo ngre një pyetje të rëndësishme: A kanë sot shqiptarët siguri që shteti është mjaftueshëm i përgatitur për të përballuar një mjedis sigurie që po evolon me shpejtësi?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, mjafton të kujtohet se në vitin 2022 Shqipëria përjetoi sulme të forta kibernetike, që i atribuohen aktorëve të caktuar të lidhur me Iranin, i cili rezutoi me pasoja të rënda për infrastrukturën e sistemeve dixhitale të vendit dhe pezullimin e e përkohshëm të shërbimeve publike. Ky fakt i thjeshtë tregon se Shqipëria nuk është e izoluar nga konfliktet globale. Edhe pse me pjesëmarrje të tërthortë, ajo u shënjestrua drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, lufta në Lindjen e Mesme përfshin aktorë me aftësi strategjikë që e tejkalojnë rajonin. Ditët e fundit analistë të ndryshëm ushtarak deklaruan se sistemet raketore balistike me rreze të gjatë veprimi të zhvilluara nga Irani, teorikisht mund të arrijnë një pjesë të madhe të Europës, përfshirë këtu edhe Ballkanin. Edhe nëse Shqipëria nuk duket të jetë një objektiv i drejtpërdrejtë i këtyre sulmeve, realitete të tilla tregojnë se sa e ndërlidhur është bërë siguria në epokën moderne. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ka një mundësi të artë: Të përforcojë besimin e saj publik duke përdorur masa të dukshme dhe parandaluese që synojnë mbrojtjen e infrastrukturës esenciale dhe demonstrimin e gatishmërisë institucionale.
Asetet strategjike kombëtare duhet të marrin një vëmendje të veçantë. Portet, aeroportet, digat dhe hidrocentralet përbejnë shtyllën kurrizore të infrastrukturës dhe stabilitetit të Shqipërisë. Forcimi dhe rritja e sigurisë në këtë drejtim nuk nuk do të ishte një sinjal alarmi. Përkundrazi, do të tregonte fytyrën e një qeverisjeje të përgjegjshme në një kohë pasigurie gjeopolitike. Një qasje e ngjashme parandaluese zbatohet edhe në vendet e tjera të aleancës. Më konkretisht, misionet diplomatike të partnerëve kryesorë (SHBA, Izraeli, Delegacioni i BE dhe Mbretëria e Bashkuar), si dhe institucione komunitare siç janë sinagogat, janë më tepër se objekte diplomatike apo fetare. Ato rezonojnë shtrirjen strategjike dhe partneritetin afatgjatë të Shqipërisë. Prandaj, ato meritojnë mbrojtje të shtuar gjatë periudhave të tensionuara ndërkombëtare.
Gjithashtu, siguria kibernetike duhet të jetë prioritet kombëtar. Kjo për shkak se Shqipëria e ka përjetuar një herë fuqinë shkatërruese të luftës kibernetike. Përforcimi i sistemeve të mbrojtjes dixhitale për të gjitha institucionet, përfshirë edhe ato financiare (kryesisht Banka e Shqipërisë), nuk mund të jetë vetëm një kërkesë për të rritur kapacitetet teknike, por një komponent thelbësor që tregon qëndrueshmëri institucionale. Stabiliteti ekonomiko-financiar është po aq i rëndësishëm për vendin në një kohë plot pasiguri gjeopolitike. Institucione të tilla si Banka e Shqipërisë përfaqësojnë shtyllat kryesore të besimit të publikut dhe duhet të mbrohen, si nga kërcënimet kibernetike, ashtu edhe nga kërcënime të tjera të ndërhyrjes në forma hibride, të cilat mund të minojnë besimin e sistemit financiar.
Duke qenë se Shqipëria është anëtare e NATO-s, çështja shkon më tej. Shumë aleatë të NATO-s në Europë janë duke rritur kapacitetet e tyre të mbrojtjes ajrore dhe raketore, si pjesë e arkitekturës së sigurisë kolektive të aleancës. Prandaj, është shumë e rëndësishme të niset një diskutim publik dhe transparent mbi kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë. Gjithashtu, duhet bërë e qartë për publikun nëse vendi është i integruar në ndonjë kuadër rajonal të mbrojtjes raketore dhe cilat aftësi tonat mund të merren në konsideratë. Një çështje e tillë nuk duhet të nxitet nga frika. Përkundrazi, duhet të udhëhiqet nga përgatitja dhe transparenca. Qytetarët ndihen më të sigurt kur institucionet komunikojnë qartë mbi masat që po ndërmarrin për t’i mbrojtur ata.
Në të vërtetë, pyetja nuk është nëse Shqipëria do të përballet me një kërcënim të menjëhershëm. Pyetja është se çfarë hapash duhet të ndërmarri sot qeveria shqiptare për të qenë e qëndrueshme, për të rritur besimin te qytetarët e saj dhe për të siguruar shqiptarët që të ndihen të sigurt në një botë që sa vjen e bëhet më komplekse.
Ky nuk është sinjal alarmi. Nëse qeveria shqiptare vendos të demonstrojë gatishmëri institucionale, lidhur me tensionet gjeopolitike, ajo do t’u dërgojë qytetarëve të saj një shenjë maturie. Sepse siguria në shëkullin e 21-të kërkon ndërgjegjësim, përgatitje dhe besim mes institucioneve dhe qytetarit.
Sot kjo mund të duket si një zile e vogël, që nëse do të vazhdojë të injorohet, mund të kthehet në një këmbanë alarmi që sa vjen e do të godasë më fort, derisa të këputet e të na zërë poshtë.

spot_img

Latest articles

Related articles