Familjarët apo njerëzit që kanë lidhje të forta me politikën janë më të privilegjuarit për marrjen e lejeve për parqe fotovoltaike, të cilat janë hapur si “kërpudhat” kohët e fundit, të njëjta me HEC-et e famshme në kohën e qeverisë “Berisha”. Qarku i Fierit është “kampion” i lejeve të dhëna, teksa përfitues kanë qenë firma të mëdha, individë apo firma pa asnjë përvojë, apo persona që kanë lidhje familjare me krerët e mazhorancës.
Pas djalit të Gramoz Ruçit, një tjetër leje është dhënë në zonën e Fierit, ku kësaj herë përfitues është vajza dhe dhëndri i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafës, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Amantia Xhafaj dhe Ditjon Baboçi, e para vajza dhe i dyti dhëndri, janë pronarë të kompanisë “InvestALB & Konsulencë”, teksa kjo kompani është pronare e 50 % të aksioneve të firmës “DION Energji”.
Familjarët e deputetit janë bashkëpronarë të kësaj firme me Artan Sakon, vëllain e kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Gramoz Sako, ish-drejtues i Gardës së Republikës. Një lidhje tepër e ngushtë e biznesit me politikën, ku vetë politika apo krerët e mazhorancës, favorizojnë familjarët e tyre!



