Besnik Bami, Dulaku, Çim Beshiri dhe Bashkim Ulaj në garë për kullën tek Pallati i Kongreseve
Të paktën 13 kompani shfaqën interes për të rivitalizuar Pallatin e Kongreseve. Por Korporata Shqiptare e Investimeve kualifikoi vetëm 5 prej tyre në fazën e dytë të konkursit.
Sipas njoftimit, kompanitë e kualifikuara ishin:
1-Shoqëria “Bami Holding” me nënkontraktor të specializuar “MVRDV B.V sh.p.k.” + “AEI Progetti Srl” + “IRI sh.p.k” + “Jason Bruges Studio Ltd” + “Charcoalblue International Ltd” + “Arup Engineering Trading as Ove Arup & Partners Ireland Ltd”;
2-Bashkimi i Subjekteve “Concord Investment sh.p.k.” dhe “Gruppo Koni sh.p.k”, me nënkontraktor të specializuar “Perrault Architecture SASU” + “Ark. Pierre Antoine Gatier” + “Altitude 35” + “Ove Arup & Partners Ireland Ltd” + “Huesco Records” + “THARM Architects”;
3-Shoqeria “Edil AL-IT” sh.p.k., me nënkontraktorë të specializuar “ARCHI-TECTONICS” + “Edil-AL” + “PNI – 2001” sh.p.k. + “ing. Lindita Pelivani”;
4-Shoqëria “Gener 2” sh.p.k me nënkontraktor të specializuar “Studio GANG” + “AD-STAR shpk” + “Digi Print” + “Besart Papa” + “Rudina Papavasili”;
5-Shoqëria “KLAR sh.p.k.” me nënkontraktor të specializuar “Julian Beqiri & Herzog de Meuron Basel Ltd” + “Marsela Demaj” + “Michel Desvigne (MDP)” + “Gentian Shkurti” + “SUEB INDUSTRIES sh.p.k.” + “The Space Factory Ltd”.
Kullë e madhe
Thirrja për rivatilizimin e Pallatit të Kongreseve u shpall nga Korporata e Investimeve në fund të vitit të kaluar. Projekti parashikon rikonceptimin e hapësirave të brendshme e të jashtme të Pallatit dhe ndërtimin e një kulle me funksione të kombinuara: hoteleri, shërbime, qendër tregtare, banim.
Kompania privatë që do të shpallet fituese përfiton 4,760 m² truall publik rreth Pallatit dhe të drejtën për të ngritur deri në 50 mijë m² sipërfaqe ndërtimi mbi tokë. Me koeficientin tipik të shfrytëzimit 30-50%, kjo përkthehet në një ndërtesë deri 20 kate, që sipas planimetrisë së zonës ka gjasë të ngrihet në lulishten pas objektit, pranë rrethrrotullimit të rrugës “Papa Gjon Pali II”, pronësia e truallit, që sot shërben si park, iu kalua KISH-së nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në muajin korrik.
Projektuesve u jepet liri të ndërtojnë parking të përbashkët për godinën ekzistuese dhe kullën, ndërsa kushti i vetëm për Pallatin është “ruajtja e elementëve arkitektonikë origjinalë, pa tjetërsuar volumin ekzistues”.
Ndërhyrjet për rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve u kërkuam vitin e kaluar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila e administron këtë godinë. Këto ndërhyrje përfshijnë mjedise pune për Drejtorinë, ambiente zyrash, konferencash dhe hapësira multifunksionale për evente artistike dhe kulturore.
Edhe pse Pallati i Kongreseve është restauruar dy herë brenda dhjetë vitesh, gjatë vizitës së Papa Françeskut në vitin 2014 dhe për Samitin e Berlinit dy vjet më parë, Korporata e Investimeve e argumenton projektin se ndërhyrjet e bëra nuk mjaftojnë për ta sjellë objektin në standarde bashkëkohore.



