Dr.Virion Graçi.
(Skicë e fjalës së mbajtur në tryezën shkencore të departamentit të letërsisë shqipe, IGJL, ASHSH.)
I.Në hyrje një parafjalë përshpirtjeje, kushtuar autorit 20 vite më parë.
II.Dy poema të burgut, të gjetura së voni.
II.I.”Zogu i ëndërrës”, (1988), me nëntitull ‘Për Reginën).
…Autori e pranon, e shpall, madje se poema e tij është një paralelizëm fabulor me poetin e shquar Edgar Allan Poe, me “Korbin”. Por, krijimi i tij, “Zogu i ëndërrës” shfaqet njëkohësisht si origjinal, i fuqishëm, me pasuri figurash e kuptimesh të thella për jetën, ekzistencën, marrëdhënien fëmijë-prind, jo aq si lidhje biologjike, lidhje gjaku, por si brezni, si shtresëzime të ndryshme kohore të jetës në të njëjtin vend, në etapa të ndryshme. Regina, siç nënkuptohet mosha e saj, nuk mund të përftojë diçka nga referenca kulturore-letrare, nga parateksti poetik i A.E. Poes, siç i shërben poetit shqiptar “Korbi”; poeti ynë e risjell në kujtesën e lexuesit të poemës së tij poezinë e famshme për të universalizuar brengën e tij, për të përgjithësuar skepticizmin e tij ndaj fenomenesh negative ditore, për të atakuar kategori vlerash e hierarkish të një jete pa cilësi, pa liri elementare, pa mundësi për të pasur fëmijëri normale e aq më pak, për të pasur më tutje arritje dhe mbrothtësi jetësore: është rrëfimi i fundit për veten i bërë jo në praninë e një kleriku fetar, por përpara një fëmije që e ka në përfytyrim, nga bisedat e mikut të tij për të bijën. Poezia e Poes i përket romantizmit amerikan, fazës pesimiste te autori dhe te drejtimi letrar, në tërësi. Mund të themi se kjo fazë e jetës së Rreshpjes, ka zhdukur te ai çdo grimcë iluzioni jo vetëm për shoqërinë-sistemin politik në të cilin ishte detyruar të jetonte, por ka shteruar çdo burim të brendshëm për shpresë. Është ndaluar si autor, është i ndaluar përsëri si njeri.
Heroi lirik i A. E. Poes rrëfen një dramë psikologjike nëpërmjet një tekstihipnotik mbi humbjen, kujtesën, marrëzinë dhe iracionalen.
Narratori vuan humbjen e të dashurës dhe humbjen e besimit se do ta ketënjë mundësi, një dashuri të njëjtë me të humburën.
E dashura Leonorë nuk jepet e portretizuar, ajo ndjehet, nënkuptohet nëpërmjet pamundësisë së poetit për ta kapërcyer vdekjen e saj.
Te E. A. Poe kujtesa, aq më tepër – ajo lidhur me të dashurën e humbur jepet si mallkim nga i cili nuk shpëton dot.
Autori përpiqet ta zvogëlojë domethënien e zogut vizitor, por ai rritetkuptimisht, bëhet mishërim i një profecie të errët, ai dyzon heroin lirik midis arsyes dhe halucinacionit. Nuk është rastësi që F. Rreshpja zgjedh pikërisht një zog, një zog ëndrre, si titull, si aks ideor për poemthin. Dhe vajza, Regina, e përmbush vetiu një imazh të tillë, pafajësinë e saj tëmoshës, dhe fatalitetin e poetit i cili shikon te ajo mundësi përsiatjeje,nga fëmijëria e tij deri te e pa kryera, te e ardhmja. Analogjia mes “Korbit” dhe “Zogut të ëndërrës” është e fortë, jo si përputhshmëri, por pjesërisht në kontrast, me konotacione të një realizmi psikologjik/origjinal e pjesërisht, si propozim/provokim leximi nga ana e Rreshpjes për leximin e poemës të tij. Në traditën perëndimore korbi është simbol i vdekjes dhe paralajmërimevefatale. Poezia e A. E. Poes lexohet si monolog i narratorit, si mbartës i një drame ekzistenciale përzier me ndjenjë të fortë pendese, në gjendje haluçinante, depresive.
Rreshpja nuk bie në pozita përsëritëse/imituese, në deklarativizëm të llojit ‘kurrë më’. Ai ndërton një poemth mozaik ku midis njësive të vogla rrëfimtare drita dhe errësira, fataltiteti dhe melankolia, shpresa dhe keqardhja, zhgënjimi dhe pendesa jepen me tone të lehta. Për të shmangur detajimin e historisë së tij, viktimizimin dhe pathosin, ai na fton në lexim anastatik, pra, t’i kemi sytë e mendjes e të përfytyrimit njëkohësisht sa te “Korbi” aq dhe te “Zogu i ëndërrës.” Pra, vepër e hapur për bashkëkrijim duke provokuar e nxitur kujtesën kulturore të lexuesit. Midis titujve “Korbi” dhe “Zogu i ëndërrës” poeti shqiptar nuk nënkupton lidhësen DHE, por lidhësen SI, pra, narratori/heroi lirik i “Zogu i ëndërrës” fat njerëzor si narratori/autori i “Korbit”.
II.II. Poema “Rekuiem”, e shkruar në burg, jo më vonë se 8 shkurt 1988, sipas origjinalit me shkrimin e dorës, ruajtur e sjellë deri sa na u besua për botim, duket se i paraprin moshimit të autorit, këputjes së tij nga jeta e iluzioneve, duket si testament shpirtëror dhe kambanë zie kur poeti ishte ende i ri në moshë biologjike. Pra, kjo poemë është paradigmë e krijimeve të më vonëshme, parathënie motivesh që do të lëvrojë deri në ditët e fundit…
III. Projeksione.
III.I.Për një etikë të trashëgimisë.
F. Rreshpja ka krijuar në kushte jo tipike. Në kushte jo tipike duam të themi se në periudhën kur liria krijuese ishte mundësuar, nuk e ka përzgjedhur krijimtarinë e tij për t’u botuar si të plotë a cila do të ishte pamja e saj, e organizuar, pra, ngeli krijimtari e shpërndarë në dorë të rastësive e të rrethanave; njëkohësisht, F. Rreshpja nuk është poet i kujdesive testamentore, nuk ka lënë porosi, këshilla, udhëzime se ku mundtë gjenden punët e tij, si mund të mblidhen, sistemohen në rend kronologjika tematik, si mund të organizohet një botim i tërësishëm i trashëgimisë së tij letrare. Miqtë nuk i kanë munguar, dashamirësit e poezisë së tij kanëqe në të shumtë e vazhdojnë të shtohen, por profesionalisht, ata që janë marrë pas vdekjes së autorit me punët e tij, nuk kanë qenë mjaftueshëm të përgatitur për ta trajtuar këtë dhuratë dhe përgjegjësi të rastit që mori formën e një detyre të përhershme, këtu e 20 vjet më parë.
Kështu, M. Gjana që mori përsipër botimin e veprës së plotë të Rreshpjes, krahas meritës për të investuar si botues, i dha vetes rol që të ishte bashkë përgatitës, sistemues i poezive në përmbledhjen përkatëse si dhe i materialeve shoqëruese, sqaruese. Nuk mund të thuhet se kjo punë është kryer më së miri, përkundrazi. Lë mjaft për të dëshiruar, për të mos thënë edhe për të dyshuar. Ai shkruan disa pasthënie për botimin e parë, nuk u jep fizionominë e një materiali shpjegues, orientues, por instrumentalizohen, deri diku, sipas llogarive vetjake të tij; dëshmon pasaktësi të qëllimshme dhe subjektivizma që e kapërcejnë masën.
III.II.Frederik Rreshpja – personazh letrar.
Si pak shkrimtarë të letërsisë moderne shqiptare, F. Rreshpja ka pasur fatin dhe meritën të shndërrohet në personazh letrar. Nuk është fjala përkujtime dhe shënime të rastit të lëna nga miqtë e të njohurit e tij; ështëfjala për ringritjen e tij si personazh romani: “Trilogjia e Shkodrës”, Gazmend Krasniqi, botimet Barleti 2018. Trajtim i dinjitetshëm, nderues.
III.III. Për një etikë të editorisë kritike.
Poezia e Frederik Rreshpjes, krahas njohjes së kushtëzuar që kishte pasurnë periudhën e mëherëshme, ngjalli qysh në fillim të viteve ’90-të simpatite lexuesit, respekt, popullaritet e deri në admirim. Po kështu, shkrimetkritike, temat e referateve e kumtimeve shkencore nuk kanë munguar. Këtë dukuri, popullaritetin, pëlqimin, admirimin që gëojnë poezitë e Rreshpjes e vëren dhe e pranon dhe përkthyesi e poeti Primo Shllaku, por, krejt origjinal dhe i vetëm në gjykimet e tij, shprehet në mënyrë jo shkencore, pra pa asnjë referencë teorike, pa prova për pretendimet e tij kundër, me aludime e nënkuptime përçmuese, në mënyrë karikaturuese e akuzuese kundër poetit. Për shkak të anës formale, mungesave elementare të kritereve të shkrimit akadamik e të trajtimit shkencor, nuk do të ishte bërë objekt i këtij punimi punimi i P. Shllakut, nëse ajo punë nuk do të ishte në përbërje të punimit për doktoraturë, mbrojtur në departamentin e letërsisë IGJL, ASA; ajo pjesë e konsiderueshme disertacioni, nuk do të ishte shqyrtuar këtu, nëse ajo nuk do të ishte botuar në një revistë të indeksuar ndërkombëtarisht si shkencore…
III. IV. Në vend të epitafit: Shpetim Kelmendi.
“Kurrë nuk e mora vesh cili është qëndrimi i tij i vërtetë dhe cila maska.Gjithsesi nuk e kam ndigjue ndonjiherë të lavdërojë ndonjë poet shqiptar, përjashto De Radën, Mjedën, Lazgushin e disa herë Ali Asllanin.”
“Fati i Fredit është fati më tragjik i mundshëm i një poeti shqiptar e më gjerë. Ai u shua përditë e ngapak, nën vështrimin e secilit prej nesh, nën indiferencën e të pacipëve dhe nën dhimbjen e pamundësisë për ta ndihmuar të disa të tjerëve. Vdekja e dalëngadalshme e Fredit, thirrjet e disa artistëve që shteti ti mundësonte një një pension e një banesë, mbetën thirrje të dëshpëruara shkretinore. Deri dje Fredi i mirë kishte nevojë për ne… Tashti le të rrimë rehat, sepse ai nuk ka më nevojë për ne. Tashti që shpirti i tij i bashkohet Harmonisë së Lartë, jemi ne që kemi nevojë për të.”



