Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë një deklaratë mes diversionit dhe provokimit duke deklaruar se ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, i arrestuar më herët, po bashkëpunon me drejtësinë.
Bardhi shtoi se, sipas tij, Berberi ka bashkëpunuar me drejtësinë edhe për çështjen e telefonit që përmbante komunikime të rëndësishme. Ai pretendoi se në kontrollin e parë telefoni nuk ishte gjetur në banesë, ndërsa në kontrollin e dytë, me instruksion të vetë Berberit për vendndodhjen, SPAK dhe BKH kanë mundur të sigurojnë provat.
“Si mendoni se Berberi do të bëjë burg për Ballukun? Shkon ai në burg dhe merr me vete edhe atë. Po Balluku do të bëjë burg për Edi Ramën? Janë tre raste ku ajo ka lënë të kuptohet se nëse shkon në burg, do të marrë edhe të tjerë me vete”, u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se, sipas tij, sulmet ndaj drejtësisë dhe ndryshimet ligjore nuk bëhen për të mbrojtur Ballukun, por për të mbrojtur kryeministrin. “Qytetarët duan që t’u kthehen pas paratë që janë vjedhur dhe që drejtësia të bëjë punën e saj”, përfundoi Bardhi.



