Kreu i PLL, Shpëtim Axhami përmes një komunikimi publik ka kërkuar uljen në tryezën teknike mes partive opozitare për reformën zgjedhore dhe atë territoriale:
Partia Lëvizja e Legalitetit vlerëson se është e domosdoshme që sa më parë, krahas aksionit opozitar, të funksionojë tryeza e zgjeruar në nivel teknik mes partive opozitare për reformën zgjedhore dhe atë territoriale.
Në këtë kuadër, Partia Lëvizja e Legalitetit i bën thirrje Partisë Demokratike se është e duhur që kjo të paraqesë sa më parë draft-propozimet e saj për këto reforma, si një hap konkret drejt ndërtimit të një platforme të përbashkët opozitare në lidhje me këto dy reformave.
PLL, beson se arritja e një drafti përfundimtar konsensual, mbi bazën e dialogu konsensual, do të forconte dhe do të zgjeronte bashkëpunimin opozitar dhe do t’u ofronte qytetarëve një alternativë serioze e shprese për zgjedhjet e ardhshme.
PLL gjithashtu mbetet e angazhuar, me propozimet e veta konkrete, për një proces të drejtë, gjithëpërfshirës dhe transparent, ku interesi kombëtar dhe ai publik të jetë mbi çdo interes të ngushtë partiak.



