Politologu Ermal Hasimja duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN tha SPAK-u i ka dhënë goditjen më të madhe legjetimitetit të qeverisë Rama dhe tanimë edhe ndërkombëtarët kanë ndryshuar mendim për ekzekutivin. Sipas politologut kur akuzat bëheshin nga opozita dukeshin si ekzagjerim, por tashmë është e vështirë për ndërkombëtarët që t’i mohojnë ato.
“SPAK-u dhe GJKKO kanë bërë diçka të jashtëzakonshme në Shqipëri, një gjë që s’ishte bërë më para. Ne s’ishim mësuar që të akuzoheshin ministra. Ishim mësuar me idenë që mund të bësh çfarë të duash në Shqipëri edhe nuk të prek drejtësia nëse je politikan. Kjo gjë është thyer tani. SPAK-u ka edhe një meritë tjetër të madhe, në momentin kur PD dilte në konferenca për shtyp dhe denonconte, një pjese e denoncimeve opinionit publik i dukeshin si fantazi të PD. Edhe njerëzit sot kanë befasuar kur kanë dalë këto fakte. Sot për shkak të SPAK-ut kemi zbuluar se ato akuza jo vetëm s’ishin spekulime, por ishin maja e ajsbergut. SPAK-u ka bërë goditjen më të madhe të legjitimitetit të qeverisjes së sotme. Institucionet e drejtësisë kanë bërë që ndërkombëtarët të ndryshojnë mendim për qeverinë. Sepse e dimë shumë mirë që Rama i ka pasur punët shumë mirë me faktorin ndërkombëtar. Tani është shumë më e vështirë për ndërkombëtarët, sepse kur i thoshte vetëm opozita dukej pak si ekzagjerim. Është shumë e vështirë edhe për ndërkombëtarët që t’i mohojnë këto gjëra dhe të bëjnë sikur nuk i dinë. Edhe Rama vet është i stresuar dhe arrin deri te pika ku do të bëjë ndryshime ligjore, s’është e lehtë, sepse do paguajë kosto”, tha Hasimja



