Nga Prof. Taulanda Jupi
Ideja është një entitet i çuditshëm. Ajo mund të ngjizet në pak mendje që guxojnë të besojnë tek ajo. Në fillim duket e brishtë, e parakohshme dhe e pafuqishme, por me guximin për të besuar, me forcën e këmbënguljes dhe durimin e pritjes, shoqëria e duhur mund ta ushqejë dhe ta shndërrojë në një lëvizje të fuqishme.
Historia e njerëzimit dëshmon se çdo ndryshim i madh ka nisur nga një ide e vogël. Ka nisur nga dikush që guxoi të shohë një vizion të ri përtej pyetjes: “Po sikur…?” një pyetje që hap dyert e mundësive të reja.
Fuqia e një ideje nuk qëndron vetëm tek vizioni i saj, por tek aftësia për të frymëzuar të tjerët. Ajo nuk është e plotë derisa të gjendet shoqëria që e kupton, që e ushqen me besim dhe e mbështet me shpresë.
Besoj vërtet se nuk ka asgjë më të fuqishme se një ide, koha e së cilës ka ardhur dhe ky nuk është optimizëm, është shpresë.
(Shprehja në titull është një aforizëm mbështetur mbi romanin “Historia e një krimi”)



