Protesta e 20 shkurtit e Partisë Demokratike zgjati më shumë se 4 orë, duke filluar para Kryeministrisë, ku kryedemokrati Sali Berisha mbajti fjalimin e tij para mbështetësve.
Pas përfundimit të fjalimit, situata u tensionua me hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt ndërtesës së qeverisë.
Në studion e MCN Live, Ilir Alihmehmeti u shpreh se protesta nuk është thjesht një veprim politik, por i vetmi mjet që i ka mbetur opozitës për të shprehur pakënaqësinë e qytetarëve, duke u bërë një alternativë ndaj “zërit të shtypur” të opozitës dhe mungesës së përgjigjes së qeverisë.
Protesta u takon njerëzve dhe e bëjnë ashtu si duan ta bëjnë. Sa i përket organizimit të brendshëm të protestës, mendoj se protesta është mjeti që i ka mbetur opozitës sot, kur çdo zë i opozitës është shuajtur dhe kur qeveria nuk po bën detyrat e veta.
Ai gjithashtu kritikon mënyrën e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia, duke e përshkruar si të tepruar dhe të paarsyetuar.
Sipas tij, kjo nuk ndikon vetëm tek protestuesit, por edhe tek qytetarët që ndodhen në zonë, dhe shpesh rrjedh nga ngutja dhe humbja e qetësisë nga drejtuesit policorë.
Gazi lotsjellës është mjet shpërndarës, ndërsa ai u hodh pa masë nga policia, duke prekur edhe vetë protestuesit dhe kalimtarët. Ka njëlloj ngutje, nxitimi dhe humbje nervash nga drejtuesit e policisë që çon në këto situata. Policia duhet të mbante situatën të stabilizuar dhe jo të kthehej me dhunë ndaj protestuesve.



