nga Igli Çelmeta
Një reagim qytetar për dinjitetin dhe respektin ndaj punonjësve të thjeshtë të Policisë së Shtetit.
Turp për deputetët e PD, një bravo për djemtë e thjeshtë të policisë!
Më vjen turp si qytetar dhe gazetar nga deputetët që na përfaqësojnë në Kuvend (opozita dhe mazhoranca, për mua janë njësoj), por më vjen mirë që në vendin tim ka edhe djem të shkëlqyer që punojnë në Policinë e Shtetit.
Këto pamje janë të turpshme për një deputet të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Deputetë që sillen si horra kundër agjentëve civilë të policisë të cilët po kryejnë detyrën e tyre dhe nuk kanë asgjë personale as me deputetët dhe as me protestuesit. Ata thjesht po zbatojnë ligjin. Ligji e thotë qartë, kush kryen veprime të dhunshme shoqërohet në polici. Efektivët këtë detyrë po kryenin, asgjë më shumë.
Nuk i njoh personalisht, por një bravo e madhe për sjelljen dy agjentëve të policisë që ruajtën qetësinë dhe nuk u sollën si horra siç u sollën deputetët e PD në video. Nuk ka asnjë të drejtë deputeti të prekë me dorë dhe të denigrojë policin. Edhe policët janë njerëz, kanë familje, kanë sedër, kanë fytyrë, nuk mund të sillesh në atë mënyrë kundrejt tyre. Bravo i qoftë që i mbajtën nervat kundrejt një tufe të paudhësh, ndaj të cilëve një njeri normal do të sillej ndryshe dhe do t’u tregonte vendin. Por kjo është diferenca, një polic që punon për të mbajtur familjen ka më shumë dinjitet se sa një deputet, ka më shumë burrëri se sa një deputet. Dhe po ta mendosh deputeti paguhet 5-fish më shumë se polici. Për çfarë paguhet? Për ta qëlluar dhe denigruar?
Turp të kenë, vendi ynë nuk ka nevojë për të tillë deputetë. Nëse deputetët Noka dhe Mziu na qenkan kaq trima të dalin të sillen në të njëjtën mënyrë me drejtuesit e policisë, por nuk kanë këllqe. E dini pse? Sepse janë frikacakë, sepse vetëm një frikacak përdor statusin e tij për të ulur apo denigruar një person tjetër me status më të ulët. Këta nuk janë burra! Burra janë dy punonjësit e policisë që s’e ulën veten në nivelin e deputetëve.
Fjala e urtë thotë: “Nuk i bien dot gomarit dhe i bien samarit”. Këta nuk kanë kurajo të përballen me ata që drejtojnë shtetin dhe qeverinë dhe merren me dy efektivë policie të thjeshtë. Kjo video është shumë domethënëse, tregon denigrimin e opozitës ku ka përfunduar kundrejt një mazhorance që ka kapur çdo pushtet dhe bën çfarë i do qejfi me këtë opozitë që ka përballë.
Hiqni duart nga policët, janë vëllezërit tanë, nuk janë ata që duhet të luftoni. Duke luftuar me ta tregoni dobësinë tuaj, luftoni me mazhorancën, zihuni me ata, kapuni prej lesh koke me njëri-tjetrin aty në Kuvend. I them dy punonjësve të policisë dhe të gjithë efektivëve të thjeshtë të policisë: Mos u ndjeni të fyer fare, por jini krenar për veten dhe punën në shërbim të vendit tuaj sepse populli kur ka parë videon është me ju, ndërsa për deputetët ka përbuzje, prandaj ndodhen edhe në opozitë.
P.S. Çdo qytetar ka të drejtë të protestojë, është e drejtë kushtetuese dhe shumë mirë që protestohet dhe ta bëjnë vazhdimisht, por protestoni kundër atyre që duhet t’u kërkoni llogari, qeverisë dhe jo policisë.



