Politologu Ermal Hasimja, në fjalën e tij përpara protestuesve deklaroi se sot shqiptarët kanë nevojë për frymën e bashkimit.
“Në 20 shkurt 1991 donim të gjithë të njëjtën gjë. Bashkë na bënte shpresa, që janë përpjekur të na e venisin. Sot duam zgjedhje të lira e të ndershme, që të vendosim vetë se kush do na qeverisë. Sot edhe socialistët e ndershëm janë të zhgënjyer”, tha ai.
Në fjalën e tij para mijëra qytetarëve të mbledhur në buleardin “Dëshmorët e Kombit”, ai tha se qytetarët duhet të bashkohen për të bërë rezistencë për të arritur kushtin minimal për zgjedhje të lira e të ndershme.
“Shpresa nuk vjen nga përtej oqeanit, as me helikopter, Ejani ta krijojmë këtu rezistencën, në këtë shesh. Njerëz të ndershëm e sidomos ju intelektualë, asnjë ndryshim nuk ka ardhur nga kolltuqet a nga kafet. Nëse mendoni se poilitika është e pisët keni shumë të drejtë, sepse të ndershmit u hapin rrugen të pandershmëve. Ndryshimi kërkon sakrifica. Nëse nuk ju pëlqejnë këto parti që janë këtu, bëjeni vetë një pari tuajën. Qytetarë e di që jeni të zhgënjyer nga politikanët dhe nuk i besoni më askujt, por bashkohuni me ne që të arrijmë kushtin minimal, zgjedhje të lira e ndershme. Bashkohuni me ne në mbështetje të prokurorëve e gjykatësve që i nxorrën bojën kësaj qeverie.” – tha ndër të tjera Hasimja.



