Skandali i pronave të ushtrisë është zyrtarisht në hetim për korrupsion. Pas gati 5 viteve hetim Prokurorisë Posaçme ka dyshime se në dhënien me qira të bazës së Limionit në Sarandë, është kryer korrupsion i zyrtarëve të lartë që janë marrë me këtë procedurë.
Kjo pronë në vitin 2020 i kaloi “Kastrati Group” dhe kompanisë “Concord Investment” të cilat zotërohen nga biznesmenët Shefqet Kastrati dhe Artan Dulaku, në këmbim të qirasë simbolike 1 euro.
Me herët po të njëjtët biznesmenë por më kompani të ndryshme me anë të një kërkese për koncesion, kishin aplikuar për projektit e Marinës se Limionit. Marina do të ndërtohej nga “Kastrati Group” dhe “Edil AL” me nga 50% të kuotave të këtij projekti, edhe këto dy kompani zotërohen nga biznesmenët Shefqet Kastrati dhe Artan Dulaku.
Por pasja e një koncesioni për të ndërtuar një marinë turistike, pa struktura akomoduese si vila, apartamente, hotele dhe restorante nuk asnjë vlerë për një projekt turistik. Për këtë arsye kompanive iu duhej edhe toka shtetërore prej 265 mijë metrash katrore e cila do të kalonte tek ta për shumën simbolike prej 1 euro, në datën 1 korrik të vitit 2020.
Përveç bazës së Sarandës, pjesë e procedimit me numër 108 i vitit 2021 është edhe prona tjetër numër 219, ish depo e Minave Detarë në Porto Romano, Durrës e cila në datën 30 dhjetor të vitit të kaluar iu dha me qira simbolike 1 euro, koncesionari të Portit MBM.
Porti MBM zotërohet në 99% të aksioneve nga “Kastrati Group” dhe “Europetrol Group” përkatësish me 65% aksioneve dhe 35% të aksioneve. “Kastrati Group “zotërohet në pjesën më të madh të aksioneve të tij nga biznesmeni Shefqet Kastrati, ndër “Europetrol Group” nga familja Kuqi. Ndërsa 1% e totalit të koncesionit zotërohet nga “Sallillari”, në pronësi të Pëllumb Sallilarit.
Por para se të arrinim në këtë vendimmarrje të qeverisë, SPAK e kishte marrë nën hetim atë çfarë po ndodhte më pronën 219 me dyshimin e shpërdorimit të detyrës.
Kjo pronë ishte zaptuar dhe ishin kryer punime nga koncesionari i portit të Porto Romano pa marrë më parë një leje pranë forcës detare e cila pronare e tokës. Paligjshmëria në këtë pronë ka vazhduar prej vitit 2020 deri në fund të 2025 kur ajo u dha me qiranë simbolike 1 euro tek Porti MBM.
Në të gjithë këto zhvillime emisioni “Kronos” në MCN TV iu drejtua me një kërkesë për informacion Prokurorisë së Posaçme se në çfarë faze janë hetimet për procedimin 108 të vitit 2021, pjesë e të cilit janë dy pronat e forcës detare baza e Limionit në Sarandës dhe ish-Depo e Minave Detare në Porto Romano.
SPAK konfirmoi se përveç shpërdorimit të detyrës i cili dyshohet se është kryer nga zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, dyshohet se është konsumuar edhe vepra penale e korrupsionit po nga këta zyrtarë.
“Në përgjigje të kërkesës tuaj protokolluar më 08.1.2026, ju bëjmë me dije si më poshtë vijon: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 108/2021 i cili është në fazën e hetimeve paraprake. Aktualisht po kryen hetime në kuadër të veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 248 dhe 260 të Kodit Penal.Bazuar në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore që kryhen në fazën e hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor. Duke iu referuar këtyre neneve, nuk mund të bëjmë me dije veprimet hetimore apo rezultatet e tyre.” – Përgjigja e SPAK
Vitin e fundit SPAK ka bërë veprime konkrete për këtë çështje duke qenë se “Kronos” ka komunikuar zyrtarisht me prokurorinë në 12 janar të vitit 2025. Nga përgjigja e prokurorisë gati një vit më parë faktohet se çështja ka qenë nën hetim vetëm për shpërdorim detyre, ndryshe nga korrespondenca që MCN ka në janarin e këtij viti. Në hetim për Limionin janë edhe pronat e tjera të cilat i janë dhënë kompanive më qiranë simbolike 1 euro, pjesë e tyre është dhe porti i peshkimit, në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë.
“Sa i takon pyetjes së parë, ju informojmë se procedimi penal nr.108 i vitit 2021, i regjistruar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ndodhet në fazën e hetimit paraprak dhe nuk ka një vendim përfundimtar deri në ketë moment.
Saktësojmë se nuk kemi të bëjmë me një procedurë privatizimi, por dhënie me qera të pronës së ashtuquajtur Baza Detare e Limionit në Sarandë, pasuri publike e vendosur në Plan Vendosje dhe Përhapje, e cila eshte dhënë me qira se bashku me pasuri te tjera sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 514 date 1.07.2020. 2.
Sa i takon pyetjes se dytë, për objektin ish-depos së Minave Detare, ne Porto Romano Durres, ju bëjmë me dije se edhe të dhënat e dyshuara përkundërligjshmëri në ketë pronë, janë trajtuar në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2021, i cili ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake.”- Përgjigja e SPAK
SPAK po ndjek një strategji tjetër një vit pas komunikimit të MCN më këtë prokuroria pasi regjistrimi i hetimeve edhe për akuzën e korrupsionit të zyrtarëve të lartë ka sjellë një tjetër rendiment.
Për nevoja të hetimit, grupit është shtuar edhe një prokuror tjetër përveç Manjola Kajanës, e cila është prokurorja që ka ndjekur këtë hetim që nga nisja e tij në prillin e vitit 2021.
Grupi hetimor është shtuar prej gati tre muajsh me një prokuror të ri, periudhë e cila përkon edhe me disa kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera që kryer me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Një ndër banesat e kontrolluara është edhe ajo e biznesmenit Artan Dulaku, i cili është një ndër përfituesit e bazës ushtarake të Limionit. Gjithashtu kontrolle u kryen edhe tek administratori i Marina Limion, Genard Kastrtati, shtetas kosovar.
Rreth dy muaj pas këtyre kontrolleve në Prokurorinë e Posaçme në fund të dhjetorit u paraqit në SPAK, ish ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e cila është një ndër të kallëzuarit e asaj që ka ndodhur me bazën e Limionit. Asnjë konfirmim zyrtarë mbi arsyet pse ajo ishte në SPAK por burime nga institucion konfirmojnë se ajo është thirrur pikërisht mbi procedurat e kalimit të bazës së Limionit tek dy kompanitë private.
Gjithashtu gjatë kësaj kohë SPAK ka sekuestruar për nevoja të hetimit edhe disa telefona të zyrtarëve dhe ish zyrtarëve që janë marrë procedurën e kalimit të pronës tek dy kompanitë të cilat në sipërfaqen prej 265 mijë metrash katrorë do të investonin rreth 60 milion euro.
“Totali i vlerës së investimeve në pasurinë shtetërore, sipas plan biznesit, shkon rreth 6,2 miliardë lekë pa TVSH dhe do të përfundojë brenda 48 muajve nga data e marrjes në dorëzim të objektit dhe nxjerrjeve të lejeve përkatëse për punimet.” – VKM 514 e vitit 2020
Gjithë projekti parashikohet të përfundonte brenda katër viteve dhe kontrata ka të parashikuara etapat ku kalon ai, për ta kthyer më pas në funksional.
“Planifikohet që në vitin e parë të përfundohen të gjitha projektet, si edhe punimet paraprake për rregullime të terrenit dhe ngritjes së kantierit. Në vitin e dytë parashikohet mbërritja në kuotën në shumicën e godinave, si dhe përparim më i mirë me njësitë vila hotelerie. Në përfundim të vitit të tretë është parashikuar përfundimi i sistemimeve për të gjitha ndërtimet. Në vitin e katërt do të punohet me fasada, rifinitura dhe interiore, në mënyrë që kompleksi turistik të jetë operativ.”- Kontrata e Publikuar
Por jemi 5 vite pas kësaj VKM-je dhe kontrate dhe produkti i këtij projekti deri tani, është një bazë e sekuestruar me kërkesë të SPAK pas dyshimeve se në procedurën e dhënies së saj me qira ka pasur shpërdorim detyre dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë.
Tre vendime të gjykatave në Shqipëri, i dy shkallëve të Gjykatës së Posaçme dhe asaj të Lartë i kanë dhënë të drejtë prokurorisë duke bllokuar dy kompanitë që të mos fillojnë punimet aty. Madje edhe gjykata kushtetuese rrëzoi ankimin e kompanisë Marina Limon, e cila kishte kërkuar heqjen e sekuestros mbi bazën e Limioni, me qëllim fillimin e punimeve për resortin turistik.
Vendimi i sekuestros së bazës ka goditur rëndë projektin për shkak se gjykatat kanë argumentuar se më nismën për të dhënë me qira 1 euro pronën që është brenda planit të përhapjes së ushtrisë është cenuar siguria kombëtare. Në vendimin e gjykatës së Lartë e cila nuk pranoi rekursin e kompanisë Marina Limion për të hequr sekuestron goditet fort vendimmarrja e qeverisë për ta dhënë me qira këtë pronë.
“Duke iu referuar këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, plani i vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura, që u referohet dispozita ligjore konkrete e analizuar nga Gjykata Kushtetuese, neni 12/d i ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe Autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i shfuqizuar nga kjo gjykatë, është aspekt organizativ i drejtimit të Forcave të Armatosura me karakter strategjik.
Parë në këtë këndvështrim, prona të përfshira në planin e vendosjes dhe përhapjes nuk janë pasuri që mund të trajtohen lirisht si pronat e tjera shtetërore për t’u dhënë me qira sipas VKM nr. 54/2014. Por kanë një status të veçantë, pasi i shërbejnë sigurisë kombëtare të një vendi, ruajtjes së gatishmërisë dhe operacionalitetit të njësive apo reparteve të dislokuara në këto prona.”- Pika 76 e vendimit të Gjykatës së Lartë.
Prokuroria e Posaçme në argumentet e saj para gjykatës ka sqaruar se ministri i mbrojtjes në atë kohë Olta Xhaçka duhet ti propozonte Presidentit nxjerrjen nga plani i përhapjes së ushtrisë sipërfaqen prej 40 mijë metrash katrorë, ashtu siç e kërkon ligji. Ky veprim nuk është kryer nga zyrtarët e ministrisë së mbrojtjes duke qenë se në atë kohë president ishte Ilir Meta dhe marrëdhënia e tij me mazhorancën ishte thyer.
“Ministri i Mbrojtjes, do të duhej t’i propozonte Presidentit të Republikës së Shqipërisë ndryshimet e pronës të vendosur në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes, pasi një pronë e vendosur në të, nuk është thjesht një pasuri shtetërore, siç përcakton pika 2 e VKM nr. 54/2014 ,por prona e vendosur në Plan Vendosje dhe Përhapje ka aktivitet operacional për misionet e kërkim shpëtimit, apo të rojës bregdetare, veprime këto që i shërbejnë sigurisë kombëtare të një vendi, një pronë e tillë siguron ruajtjen, gatishmërinë dhe operacionalitetin e njësive apo reparteve të dislokuara në këto prona.” – Vendimi i Gjykatës së Lartë
Prokuroria e Posaçme shkon më tej në argumentin e saj duke sqaruar se ky vendim ka cënuar dhe detyrimet që shteti shqiptarë ka ndaj NATO-s, dukë se është pjesë e kësaj organizatë të rëndësishme ushtarake.
“Disponimi i kësaj prone, duke e përfshirë në kontratën e koncesionit të miratuar me VKM nr. 515, të vitit 2020, tek subjekte privatë, në një kohë që prona e vendosur në Plan Përhapje dhe Vendosje i shërben mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, vë në rrezik sigurinë kombëtare dhe detyrimet që shteti shqiptar ka ndaj NATO-s apo organizmave të tjerë ndërkombëtarë.”- Prokuroria e Posaçme
Ajo që po ndodh me hetimin e procedurave të dhënies me qira të bazës së Sarandës nuk i ka shpëtuar as komenteve të kryeministrit i cili marsin e 2024 komentoi sekuestrimin e një pjese të pronës ky do shtrihet projekti privat. Kjo është një deklaratë e tij në 17 mars të viti 2024 ku e cilësoi pengmarrje vendimin e gjykatave për ta sekuestruar .
Absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive në emër të NATO-s, një investim me rëndësi strategjike prej 200 milionë eurosh në Limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për marinë turistike dhe është pjesë e programit tonë qeverisës. Prej dy a tre vjetësh, rri i bllokuar se hetohet mënyra si është lidhur kontrata.
Unë nuk dua të komentoj arsyet e atij hetimi por ama nuk duhet një diplomë në juridik, për të kuptuar se të hetosh se si u lidh një kontartë e shtetit me sipërmarrjen private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin dhe këtë ta bësh në emër të NATO-s dhe sigurisë kombëtare duke bërë NATO-n të qeshë kur e dëgjon këtë histori dhe të ndërhysh në kompetencën e një pushteti të pavarur që është sovran për sigurinë kombëtare.
Në fundin e 2024 Edi Rama, komentoi sërish sekuestrimin e kësaj baze që po mban peng një investim që do sillte ekonomisë shqiptare 300 milion euro. Sipas tij ky vendim është një ndërhyrje brutale në kompetencat e pushtetit ekzekutiv.
“Nëse siguria jonë kombëtare cenohet apo varet nga ajo bazë e Limionit aty, atëherë unë i pari bashkë me ju, hajde kapim avionin e parë dhe ikim, se jemi të pushtuar. Realisht është një skandal. Por forca e verbër e ka bllokuar, një investim që sot do fuste në ekonomi 300 mln euro, do rriste numrin e turistëve të nivelit të lartë. Është vota, vota, se përndryshe i bie që të shkojmë të pyesim në pushtetin gjyqësor a ta marrim këtë vendim a jo. Është vota që e përcakton. S’e përcakton gjykata se çfarë është siguria kombëtare, ai vendim tregon atë që thashë më parë, se ka shumë mangësira në këtë fazë ku po ndërtohet një sistem i ri. Dhe kjo është një nga rastet, shembulli më ulëritës i çfarë mund të ndodhi kur abuzohet me forcën e një pushteti, duke hyrë komplet në territorin e një pushteti tjetër.”
Hetimi i dhënies me qira të bazës së Sarandës dhe bllokimi i projektit nga ky hetim ka sjellë reagime periodike të atyre që morën këtë vendim. I tillë ishte edhe ai i Olta Xhaçkës në 13 mars të vitit 2023 kur ajo u thirr për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas saj ajo e mirëpriste ditën kur shpifjet politike dhe alarmi fals për bazën e Sarandës do të merrnin përgjigje nga drejtësia.
“Pa diskutim që unë jam në dispozicion të drejtësisë. Kjo është arsyeja për të cilën kemi punuar, kemi luftuar dhe kemi votuar që të gjithë të jemi në dispozicion të drejtësisë për të dhënë shpjegime, për t’u pyetur dhe për të dhënë përgjigje për të gjitha ato çështje që hetohen. Dhe, patjetër që unë nuk bëj përjashtim. Është e mirëseardhur dita për mua kur do të marrin përgjigje nga drejtësia edhe shpifje të ulëta si ajo e përdorimit të aseteve publike për arsye elektorale, por edhe alarmi fals që asete që kanë qëndruar mes ndryshkut, do të kthehen sot në asete me vlerë siç është rasti i portit të Sarandës”- Olta Xhacka
Baza e Limionit është njëra anë e medaljes së procedimit numër 108 të vitit 2021. Në marsin e vitit 2023 Kronos për herë të parë do të publikonte skandalin e zaptimin të ish depos së minave në Porto Romano nga Porti MBM në pronësi të “Kastrati Group”, “Euro Petrol Group” dhe kompanisë “Salillari”.
Me anë të dokumenteve dhe vendimeve të prokurorisë faktuam se ky koncesionar për nevoja të tij kishte ndërhyrë sipërfaqen e ish Depos se Minave në Porto Romanio, duke kryer aty punime dhe përdorur atë për nevoja të tij. E gjithë kjo kishte ndodhur pa një lejë nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, e konfirmuar në atë kohë nga ministri Niko Peleshi.
Ndërsa me korrespondecën që kishim me ministrinë e mbrojtjes në atë kohë na u konfirmua se sipërfaqja prej 52 mijë metrash katrorë është në pronësi dhe administrim të Forcës Detare.
“Prona nr.219 “Ish Depo Minave Detare” Porto Romano është pronë në administrim të Forcës Detare e cila gëzon dhe certifikatë pronësie për këtë pasuri.Kjo pronë është pjesë e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në administrim të Forcës Detare dhe në çdo rast që konstatohen se mbi këtë pasuri mund të kryhen cenime të çdo lloj natyre, nga persona të tretë, Forca Detare ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në mbështetje të akteve ligjore dhe nënligjore të miratuara për këtë qëllim” – Ministria e Mbrojtjes
Prokuroria e Posaçme 6 ditë pas transmetimit të këtij emisioni i ka kërkuar televizionit MCN të vendosë në dispozicion të hetuesve çdo lloj materiali, por kryesisht ato filmike bruto. Prokurorja Manjola Kajana në shkresën e firmosur prej saj në datën 29 mars 2023 vendosi.
“1. Këqyrjen dhe marrjen e materialit audio/video bruto të papërpunuar për transmetim, material i cili disponohet fizikisht nga emisioni “KRONOS”, pjesë e televizionit MCN.
- Këqyrja dhe marrja e dokumenteve do të kryhet nga Hetuesi Renato Lapa, i cili për praktikat që këqyr në ambientet e Televizionit MCN TV, duhet të mbajë proces-verbalin përkatës.
- Këqyrja do të shoqërohet me marrjen e kopjes fizike në format elektronike CD/DVD që posedon Emisioni “KRONOS”, apo që është administruar në Sistemit Elektronik të këtij Televizioni.”- thuhet në dokumentin e SPAK
Këto materiale Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i mori për llogari të hetimin numër 108 të vitit 2021, ku po hetohet mënyra se si privatizua baza detare e Sarandës, i njohur si gjiri i Limionit.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nën hetim procedimin penal nr. 108 të vitit 2021 për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Sa më sipër organi procedues se në kuadër të kryerjes së veprimeve hetimore duhet të administrohet dhe të merret pranë televizionit “MCN TV”, kopjet e pamjeve filmike në cilësinë “bruto” të papërpunuara dhe pa filtra të prodhuara nga një pajisje DRON, të cilat janë transmetuar në Emisionin “KRONOS” në datën 24.02.2023 janë publikuar edhe në platformën Youtube më titullin e videos “Kastrati merr ish depon e minave në Porto Romano pa asnjë dokument” – thuhet në dokumentin e SPAK.
Ministria e Mbrojtjes konfirmoi me anë të një kërkesë për informacion se prona më numër 219 e njohur si ish-depo e minave detare në Porto Romano është pronë e Flotës Detare.
“Prona nr.219 “Ish Depo Minave Detare” Porto Romano është pronë në administrim të Forcës Detare e cila gëzon dhe certifikatë pronësie për këtë pasuri.Kjo pronë është pjesë e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në administrim të Forcës Detare dhe në çdo rast që konstatohen se mbi këtë pasuri mund të kryhen cenime të çdo lloj natyre, nga persona të tretë, Forca Detare ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në mbështetje të akteve ligjore dhe nënligjore të miratuara për këtë qëllim”- Ministria e Mbrojtjes.
Ndërsa vendimi i qeverisë i 30 dhjetorit 2025 për ta dhënë me qira këtë pronë tek Porti MBM për 1 euro, nuk dihet se çfarë efekti do të ketë tek hetimet që po ndjek Prokuroria e Posaçme.
Por nga mënyra se si po zhvillohen hetimet muajt e fundit por edhe për shkak të afateve hetimore SPAK është i detyruar që të dalë më një vendimmarrje për këtë dosje ku përfshihet baza e Limionit dhe Ish Depo e Minave Detare. Çështje e cila bën bashkë cenimin e sigurisë kombëtare, dëmtimin e interesit publik dhe dyshimet se në këtë rast kemi të bëjmë më korrupsion në nivele të lartë shtetërore.



