Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në jug të Londrës, ku 22-vjeçari shqiptar Lorik Abazi humbi jetën pas një sulmi me thikë.
Sikurse raporton BBC, i riu shqiptar u gjet i plagosur rëndë në zonën e Valley Retail Park, në Hesterman Way, rreth orës 01:15 të së dielës, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në spital.
Familja e tij e përshkroi Lorikun si “një djalë të kujdesshëm, të zgjuar, me humor të mirë dhe me gjithë të ardhmen përpara”.
“Ne, prindërit e tij, vëllai, e dashura, gjyshërit dhe familja e gjerë e miqtë, e donim shumë. Një dritë është shuar nga jetët tona, dhe jemi të shkatërruar përtej fjalëve nga humbja e tij.”, thuhet në këtë deklaratë të familjarëve, të cilët kërkuan privatësi nga mediat dhe publiku, në këtë periudhë të vështirë.
Policia britanike ka arrestuar shtatë persona në lidhje me ngjarjen, mes të cilëve dy vajza 25-vjeçare dhe një djalë 28-vjeç, nën dyshimin për vrasje. Njëra nga vajzat është liruar me kusht.
Dy djem të tjerë, të moshës 21 vjeç, kishin gjithashtu me plagë thike. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike në spital, ndërsa tjetri është marrë në paraburgim.
Dy vajza të tjera, 21 dhe 22 vjeçe, u arrestuan gjithashtu nën dyshimin se ishin përfshirë në sherr. Nga këto të dyja, 21-vjeçarja është liruar me kusht ndërsa hetimet vazhdojnë, ndërsa 22-vjeçarja mbetet në paraburgim.



