Dëshira për të përfituar një kredi shpejt dhe pa shumë procedura po i ekspozon qytetarët ndaj një forme të re mashtrimi online.
Persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta, rrjeteve sociale dhe mesazheve, paraqiten si institucione financiare për të marrë të dhëna personale dhe para.
Sipas ekspertit IT Shahin Dokuzi, mashtrimi funksionon duke joshur viktimat me kredi të shpejta.
“Ka faqe që hiqen sikur janë banka. Pra le të themi që në rast se unë kam marrë kredi në disa banka dhe nuk më jep kredi asnjë bankë nëse pyes, por shikoj një faqe online dhe aplikoj aty me premtimin që do më japë kredi pa kolateral dhe më vjedhin të dhënat. Benefiti në këtë rast është se të zëmë kërkohet vetëm 100 euro për proces dokumentacioni dhe ju do të merrni 5 mijë euro kredi. Dhe unë paguaj ato 100 euro dhe i humbas. Të gjithë personat që aplikojnë për kredi duhet patjetër që të kenë mundësi kontakti fizik për të shmangur mashtrimin.”
Një formë tjetër e cila po përdoret për të vjedhur para është edhe përmes klonimit të kartave të kreditit.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal në hapësirën online dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë.



