nga Sebastian Zonja
Bisedimet dhe debatet ideologjike janë interesante. Për shembull, po mendoja pse duhet të bien ndesh komunizmi që ka kryevlerë barazinë, ndërsa liberalizmi lirinë?! Ose, për ta vijuar, këto ideologji na thonë se njeriu shpëton po të përqafojë njërën prej të dyjave – në komunizëm barazinë, në liberalizëm lirinë. Liria liberale është individuale, barazia komuniste është kolektive. Çfarë është individi pa kolektivin dhe çfarë është liria pa barazinë?
Mos ndoshta janë projekte utopike që inxhinjerojnë shoqëri sipas një qasjeje të caktuar, njëra që na thotë se historia merr fund kur të arrihet liria individuale universale, ndërsa tjetri kur të arrihej barazia universale?
Si zgjidhet konflikti vleror nëse liria në kuadër të liberalizmit është “liri negative”, ndërsa barazia komuniste shtyp lirinë individuale për uniformitet kolektiv?
A do të thotë se sa më shumë liberalë të bëhemi, aq më intolerantë kthehemi ndaj njëri – tjetrit, duke gjeneruar konfliktet e sotme identitare?
Mos ndoshta ideologjitë janë fetë e reja?
Cila është më e rëndësishme – bashkëjetesa, imponimi i lirisë që Amerika i bëri Afganistanit apo imponimi i barazisë që Rusia sovjetike i bëri Afganistanit?
Si ka mundësi që Rusia sovjetike dhe Amerika demokratike ngjajnë si dy pika uji kur imponojnë vlerat e tyre supreme?



