Me qëllim përfitimin e një tarife më të ulët të energjisë elektrike, dhjetëra biznese, kryesisht në Tiranë, kanë vijuar të furnizohen si konsumatorë familjarë, edhe pse objektet ku ushtrojnë aktivitet përdoren realisht për qëllime ekonomike.
Furnizuesi i Shërbimit Universal, pjesë e OSHEE Group, ka intensifikuar kontrollet në terren për verifikimin e kontratave të energjisë, në kuadër të zbatimit të sistemit të ri të tarifimit. Kontrollet synojnë identifikimin e subjekteve që nuk kanë përditësuar kategorinë e kontratës, duke shmangur pagesën e tarifës së biznesit.
Sipas administratorit të FSHU, Algert Luzi, shkeljet janë konstatuar kryesisht në godina të reja banimi, ku apartamentet përdoren si zyra dhe njësi shërbimi. Ai shpjegon se bëhet fjalë për aktivitete si zyra noterie, kontabiliteti, klinika dentare dhe biznese estetike, të cilat rezultojnë të regjistruara ende si abonentë familjarë.
FSHU thekson se fenomeni lidhet me kontrata të vjetra ose mungesë përditësimi të të dhënave, ndërkohë që përdorimi real i objekteve është ndryshuar. Për këtë arsye, kompania ka nisur një proces të gjerë verifikimi dhe u bën thirrje bizneseve, organizatave jofitimprurëse dhe personave fizikë që ushtrojnë aktivitet tregtar të kontrollojnë kategorinë e kontratës dhe ta përditësojnë atë në përputhje me funksionin real të objektit.
Sipas FSHU, abonentët familjarë që konsumojnë mbi 700 kilovat-orë në muaj tarifohen me 9.5 lekë për kilovat-orë, ndërsa subjektet ekonomike paguajnë 14 lekë për kilovat-orë. Në rastet kur konstatohet shkelje, tarifa ndryshohet menjëherë, ndërsa përsëritja e shkeljes shoqërohet me penalitete.
FSHU apelon për bashkëpunim me grupet e kontrollit, me qëllim shmangien e masave ndëshkuese dhe garantimin e një sistemi tarifimi të drejtë dhe të barabartë për të gjithë konsumatorët



