Rritja e çmimit të biletës së transportit urban në Kamëz u rikthye sërish si shqetësim publik gjatë foltores së sotme me demokratët në Kamëz. Një qytetar që mori fjalën ngriti hapur problemin e shtrenjtimit të biletës së autobusit, duke theksuar se qytetarët po angazhohen politikisht pa mbështetje financiare, ndërsa përballen me kosto gjithnjë e më të larta jetese.
Qytetari në Foltoren në Kamëz: Deputetët të jenë pak më të ashpër atje në parlament o doktor. Mos të na lënë vetëm ne që të çohen demokratët. Edhe ato. Ne po angazhohemi pa rrogë, pa lek, paguajmë edhe biletat e urabnit, megjithëse na e kanë ngritur këtu çmimin e biletës. Edhe kam një mirë tha doktor Petriti, si u ngrit bileta, edhe nuk bëhet fjalë. Mori fund aty çdo gjë. Tani u miratua nga anëtar të këshillit bashkiak edhe demokrat. Ai ligj. Çfarë të them tjetër gjë. Me datën 10 do vijmë do marrim pjesë. Do përleshemi.
Shqetësimi i ngritur në foltore vjen disa muaj pas vendimit të Bashkisë Kamëz për shtrenjtimin e biletës së urbanit nga 40 në 50 lekë dhe rritjen e abonesë mujore nga 1200 në 1400 lekë. Ky vendim u shoqërua me akuza të forta për konflikt interesi dhe çoi në nisjen e një hetimi paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, hetimi u hap pas ankesave dhe reagimeve publike në media dhe ka për qëllim të analizojë funksionimin e konkurrencës në tregun e transportit urban në Kamëz. Në fokus janë linjat Kamëz–Tiranë–Kamëz dhe Paskuqan–Babrru–Tiranë, ku operator i vetëm i licencuar është shoqëria “SHPRESA – AL” SHPK, e cila mban një pozitë dominuese në treg.
Autoriteti ka theksuar se nga vlerësimi paraprak nuk rezultojnë analiza të plota ekonomike që të justifikojnë rritjen e tarifave mbi baza reale të kostove. Hetimi përfshin periudhën 1 janar – 12 dhjetor 2025 dhe synon të vlerësojë nëse ka shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Dyshimet për konflikt interesi janë thelluar edhe më tej, pasi propozimi për rritjen e tarifave është bërë nga Dashnor Memaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban, i cili njëkohësisht mban post drejtues në kompaninë “Shpresa.al”, përfituese direkte nga vendimi. Gjithashtu, disa anëtarë të Këshillit Bashkiak që votuan pro rezultojnë me lidhje me kompaninë, ndërsa mbledhja ku u miratua vendimi u fshi më pas nga transmetimet online, duke shtuar akuzat për mungesë transparence.
Ndërkohë, qytetarët e Kamzës vazhdojnë të shprehin pakënaqësi, duke e cilësuar rritjen e çmimit të biletës si një barrë të padrejtë ekonomike, që rëndon mbi familjet dhe punëtorët që përdorin çdo ditë transportin urban



