SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq tre persona, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm në procedurën e transferimit të një të dënuari Bëhet fjalë për ish gardistin, Zef Mali, Kreshnik Domi dhe Jemine Çoku, të cilët akuzohen për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim.
SPAK thekson se, Zef Mali, në bashkëpunim me të pandehurin, Kreshnik Domi i kanë kërkuar dhe marrë të pandehurës, Jemine Çoku një përfitim të parregullt prej 20.000 (njëzet mijë) eurosh. Gjithashtu, në kohën kur Zef Mali ka kryer këtë veprim mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës dhe Kreshnik Domi ishte një lidhje shoqërore e tij.
Sipas hetimeve, ata i kanë premtuar dhe siguruar të pandehurës Jemine Çoku se do të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për të ndjekur procedurën e transferimit në Shqipëri të vëllai të saj, shtetasit shqiptar Kujtim Çeliku, i dënuar me burgim në Republikën e Turqisë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Konkretisht, nga muaji janar deri në tetor të vitit 2025, në të cilën ishte në zhvillim procedura e personit të dënuar, të pandehurit Zef Mali dhe Kreshnik Domi kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me të pandehurën Jemine Çoku dhe me familjarë të tjerë të saj, duke i siguruar se ata kishin mundësi të ndikonin tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e procedurës së transferimit të të dënuarit.
Për këtë qëllim, e pandehura Jemine Çoku u ka dhënë të pandehurve shumën prej 20.000 eurosh, si përfitim të parregullt. Gjatë hetimit është evidentuar gjithashtu fakti i fillimit të ndjekjes së procedurës ligjore të transferimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për shtetasin shqiptar, Kujtim Çeliku, për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri



