Qytetarët e Durrësit nuk kanë nevojë për manovra politike | nga Sami Osmani

spot_img
Advertisements

nga Sami Osmani, antar i Këshillit Bashkiak në Durrës

Ditët e fundit në Durrës ka pasur protesta të familjeve të prekura nga projekti TID, protesta të drejta, të vonuara dhe të neglizhuara prej vitesh. Në këtë kontekst, Partia Demokratike po përpiqet në mënyrë tinëzare të ngrijë një komision hetimor për këtë projekt.

E quaj tinëzare, sepse PD nuk arrin as të sigurojë mbështetje të plotë nga anëtarët e saj në Këshillin Bashkiak dhe, në vend që të mbajë përgjegjësi politike, u drejtohet të tjerëve për të mbledhur firmat. I njëjti subjekt politik që deri dje na quante “tradhtarë”, “të shitur”, “opozitë e opozitës” sot na dërgon fjalë për të firmosur, pa guximin për të na takuar ballë për ballë. A keni marrë leje nga Sali Berisha për t’u kërkuar firmat?

Pse nuk kërkojnë komision hetimor për fondet e tërmetit? Pse nuk kërkojnë komision hetimor për zonat e përmbytura?

Hipokrizia shkon edhe më tej. Partia Demokratike e Durrësit ka qenë ndër mbështetësit kryesorë të Avokatit të Popullit, por nuk e ka thirrur asnjëherë për të parë nga afër situatën reale të qytetarëve të përmbytur apo të prekur nga ky projekt. Asnjë vizitë, asnjë qëndrim publik, asnjë përgjegjësi.

Pyetja që lind natyrshëm është: pse u kujtuan sot? Ky projekt diskutohet prej 4–5 vitesh. Apo ndoshta këtë herë interesi nuk është qytetari, por fakti se disa prej tyre nuk janë bërë pjesë e një biznesi të përbashkët, siç ka ndodhur më parë? Nëse është kështu, atëherë kjo nuk është më opozitë, është bashkëfajësi.

Qytetarët e Durrësit nuk kanë nevojë për manovra politike, por për transparencë, guxim dhe qëndrime të qarta. Dhe këto nuk fitohen me firma të kërkuara fshehurazi, por me përgjegjësi të marrë publikisht.

spot_img

Latest articles

Related articles