Prokurorët e çështjes së kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, Altin Dumani dhe Olsi Dado kanë pranuar zyrtarisht se në këtë dosje ka të penduar dhe dëshimitarë të drejtësisë. Në audion e zbardhur në seancën gjyqësore të fundit të kësaj çështje, prokurorët theksojnë se klima e krijuar për të intimiduar aktorët e drejtësisë në këtë çështje mund të ndikojë drejtpërdrejtë dhe te personat e penduar.
Në zbardhjen e publikuar nga mediat pranë Veliajt, thuhet se prokurorët kanë theksur se Veliaj ka paguar një këst të paktën 300 mijë dollarë për mbrojtjen ndërkombëtare të tij. Nga ana tjetër prokurori Olsi Dado kërkon përpara gjykatës që Veliaj të qëndrojë në burg duke argumentuar se e drejta e tij për tu mbrojtur është e paprekshme.
Në audio, Dado deklaron se ishte vënë në dijeni për një fushatë lobimi të Erion Veliaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një fond financimi prej rreth 221 mijë dollarësh. Sipas Dados, ky lobim nga ana e Veliajt ka shkuar në nivelet më të larta politike administrative të Shteteve të Bashkuara dhe nuk përbën një mbrojtje juridike por synon deligjitimimin e organeve që po e gjykojnë.
Dumani: “I pandehuri ka pajtuar edhe një studio jo shqiptare, ka paguar, është paguar një këst të paktën 300.000 dollarë për mbrojtjen ndërkombëtarisht të tij. Mund fare mirë, le të kontaktojë, ose të hapim një fond për të përballuar edhe shpenzimet e avokates së caktuar kryesisht, e cila do të shkojë në Durrës dhe ta takojë të pandehurin me qëllim që të dakordësojnë në lidhje me ecurinë e procesit. Por, unë sërish mendoj që jemi në kushtet kur i pandehuri dhe mbrojtja e tij e zgjedhur, apo e caktuar, nuk përfitojnë nga e drejta për të shprehur kërkesat sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale”.
Prokurori Dado: “Përtej argumenteve që paraqiti prokurori i çështjes, do të doja t’i sjell në vëmendje gjykatës që gjatë kësaj periudhe, jemi vënë në dijeni pasi elementë të ri në lidhje me nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, të nenit 163 në lidhje me kushtet e përcaktimit të masës së sigurimit personal, jemi vënë në dijeni për një fushatë lobimi të shtetasit Erion Veliaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një fond financimi rreth 221 mijë dollarë.
Nga burimet të hapura, është një shkrim ka shumë shkrime, por do të doja që këtë gjykata ta shqyrtonte si provë në gjykimin tonë kjo fushatë lobimi e cila ka shkuar deri në nivelet më të larta politike administrative të Shteteve të Bashkuara nuk përbën një mbrojtje juridike për veprimtari të funksionit politik, synon deligjitimimin e organeve që po gjykojnë aktualisht çështjen dhe tregon vullnetin e të pandehurit për të shmangur procesin penal.
Pra, mbrojtja nga procesi penal dhe jo mbrojtja në procesin penal duket se është synimi kryesor i të pandehurit Erion Veliaj gjatë këtyre muajve të hetimit paraprak, por dhe të gjykimit në seancë paraprake. Për ne është një element shumë i rëndësishëm që tregon se klima e krijuar në raport me prokurorinë e posaçme, por dhe me gjyqtarin në hetim paraprak. Të mos harrojmë këtu që nga burime të hapura gjithashtu, këta aktorë të sistemit të drejtësisë, pra edhe prokurorë të prokurorisë së posaçme, por edhe gjyqtarë janë cilësuar si anëtarë aktivë të një partie që i përket opozitës në Shqipëri.
Janë cilësuar të lidhur, ose të paktën vetëm prokurori, me interesa të ngushta zhvillimore ndërtuese. Kjo është një situatë që krijon një klimë ndikimi jo vetëm tek organet e drejtësisë dhe aq më tepër mund të imagjinojmë efektin që krijon tek dëshmitarët, por dhe tek dëshmitarët e drejtësisë që janë pjesë jetike, thelbësore e këtij procesi.
Dado: Po në lidhje… zonja kryetare, prokuroria e posaçme nuk e di se sa do të ishte me vend që ndoshta i ka paraqitur i pandehuri vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Gjyqtarja: Faktikisht nuk janë elemente kryesisht por nëse i keni shumë mirë.
Dado: Ne i kemi sepse na është dashur neve për t’u orientuar si dhe aktin ose dokumentin që sapo cituam nga burime të hapura, por edhe tre urdhrat e pasqyrimit të ndryshimeve të veprës penale.
Gjyqtarja: Po që pasqyrojnë….
Dado: Që pasqyrojnë ndryshimet ose më saktë rëndimin e pozitës juridike të pandehurit pas momentit të zbatimit të masës së sigurimit arrest me burg më 10 shkurt 2025.
Për çfarë akuzohet Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë



