Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar kritikat ndaj lidershipit aktual të opozitës gjatë një takimi të mbajtur në Fier, duke theksuar se struktura dhe figurat që përbëjnë “motorin e opozitës” po përjashtohen nga vendimmarrja.
Salianji u shpreh se kjo situatë nuk ndodh në asnjë parti normale politike dhe se lidershipi duhet të përcaktohet nga anëtarësia dhe vota e demokratëve, jo nga vendime të imponuara nga lart.
Ai solli si shembull rastin e Himarës, ku, sipas tij, është përjashtuar pothuajse e gjithë struktura e PD-së për t’i hapur rrugë imponimit të një kryetari dege të preferuar nga lidershipi.
“Në shumë degë, në Himarë ishte përjashtuar gjithë PD për të imponuar një kryetar dege siç e do lidershipi. Tentohet të bëhet bashkimi i opozitës duke ulur nëpër tryeza njerëz qesharakë dhe nuk dëgjohen demokratët”, deklaroi Salianji.
Duke folur për mënyrën se si, sipas tij, opozita mund të fitojë zgjedhjet, Salianji theksoi se bashkimi real duhet të vijë nga poshtë dhe të udhëhiqet nga figura me kredibilitet të gjerë.
“Nëse dikush e bashkon opozitën dhe tregon kredibilitet më të madh se lidershipi i PD-së, ta propozojmë të jetë kandidat për kryeministër që të fitojmë zgjedhjet”, u shpreh ai.
Sipas Salianjit, vetëm përmes një procesi të hapur, konkurrues dhe të bazuar në vullnetin e anëtarësisë, Partia Demokratike mund të rimarrë besimin e qytetarëve dhe të paraqitet si alternativë e besueshme qeverisëse.



