nga Fitim Zekthi
Qeveria Rama ka ndërmarrë një akt gati brutal ndaj drejtësisë, duke kërkuar që Komisioni Xhafa (Komisioni i Përhershëm Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale) të kryejë një vizitë monitoruese në SPAK, me gjasme me fokus zbatimin e masave në luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave.
Prokuroria Speciale SPAK e ka refuzuar, por akti në vetvete është një përshkallëzim i hapur dhe lemeritës i luftës së qeverisë kundër SPAK. Nuk ka më asgjë për të fshehur. Lufta është e hapur dhe totale. Ishte e pritshme që do të vinte ky moment. Lufta e zhvilluar nga Partia Demokratike në opozitë kundër SPAK gjatë këtyre viteve nuk mund të mbetej më vetëm tek ajo. Kryeministri i kishte dhënë shenjat me kohë, duke u fshehur pas fjalorit të ndarjes së pushteteve, të mbrojtjes së prezumimit të pafajësisë apo të lirive kushtetuese të të akuzuarve apo të dyshuarve.
Është e qartë se kjo është një luftë e egër e sistemit politik për mbijetesë, luftë e cila do të vijojë duke u ashpërsuar. Një sistem politik i korruptuar në tërë qenien e vet do të luftojë për t’u mbrojtur me gjithçka.
Çfarë është kjo luftë në një kuptim politik? Kjo luftë tregon se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk e shohin politikën si një entitet që përpiqet të qeverisë vendin, por si një teknikë menaxhimi të pushtetit. Kjo teknikë menaxhimi e sheh çdo institucion edhe ligjin, edhe statutin, edhe gjykatat, edhe prokurorinë si instrumente të menaxhimit të pushtetit. Pierre Manent thotë se politika, në këtë rast, nuk respekton më as formën, por kërkon t’i përthithë, t’i zhbëjë institucionet.
Nëse politika kërkon të “monitorojë” drejtësinë penale, ajo nuk po kërkon transparencë, por po afirmon sovranitetin e saj mbi ligjin. Ky është momenti, thotë Manent, kur demokracia pushon së qeni rend dhe fillon të bëhet teknikë pushteti.
Gjatë gjithë viteve të regjimit komunist në Shqipëri ka qenë e pamenduar që gjykata apo prokuroria të jenë një pushtet i pavarur që mund të hetojë njerëz të fuqishëm të partisë. Është e ngulitur thellë në ndërgjegjen e drejtuesve politikë të Shqipërisë, për shkak të formimit njëdimensional totalitar, por edhe për shkak të korrupsionit të lartë personal, se këto institucione ,ligji po e po, duhet të jenë në funksion të tyre. Ata nuk e kuptojnë dot se në sistemin tonë politik, parimisht, gjykata dhe prokuroria kanë të drejtë të monitorojnë, të hetojnë dhe të gjykojnë mënyrën se si ata punojnë dhe jo e anasjellta. Politikanët, qeveria, nuk mund të shqyrtojnë apo monitorojnë mënyrën se si punon gjykata, nuk mund të marrin në analizë veprimtarinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Në komunizëm, po.
Gjykata Supreme në SHBA, kryetari Warren Burger, në çështjen United States vs. Nixon në vitin 1974, tha se “siç është pohuar gjithnjë nga Gjykata Supreme, dega ekzekutive, qeveria, nuk është rojtare e ligjshmërisë, por është subjekt i saj”. Është e qartë, si teorikisht ashtu edhe nga praktika e dhjetëra vendimeve të Gjykatës Supreme, të Gjykatës së Strasburgut apo gjykatave gjithandej, se qeveria dhe është e ditur a priori se Komisioni Xhafa është komision qeveritar (ne nuk kemi një parlament të pavarur nga qeveria) nuk ka asnjë të drejtë të monitorojë apo të shqyrtojë mënyrën se si e bëjnë punën gjyqtarët apo prokurorët.
Pra, nga pikëpamja politike, kemi një akt anulimi të qartë të demokracisë dhe vendosjen e rendit të teknikës së menaxhimit të pushtetit. Gjithçka është kundër ligjit, kundër të drejtës. Interesante është të shohim se çfarë është kjo nga pikëpamja ontologjike. Tani pyetja nuk është më nëse është ligjore kërkesa, nëse është demokratike dhe në përputhje me ndarjen e pushteteve kërkesa e Komisionit Xhafa, por: “çfarë qenieje politike po shfaqet në këtë rast?”
Komisioni Xhafa thotë se kërkesa është akt monitorimi, procedurë parlamentare, transparencë. Në fakt, në nivel ontologjik kemi diçka tjetër. Pierre Manent thotë se në raste të tilla politika nuk pranon kufij ontologjikë; ajo kërkon të jetë e gjitha, të jetë gjithçka. Kësisoj, drejtësia nuk ekziston si një entitet apo rend tjetër, por si funksion i politikës.
Pra, shkurt, Rama kërkon të thotë se SPAK, GJKKO, drejtësia ekzistojnë, por ekzistojnë brenda meje, brenda fushës së qeverisjes. Drejtësia nuk është më qenie me kuptim, por është një mjet funksional. Ajo gati e humb të drejtën e të qenit.
Në terma moralë, akti i Komisionit Xhafa, akti i qeverisë shqiptare dhe, në tërësi, çdo akt i politikanëve që kërkon ta shohë drejtësinë si funksion apo zgjatim të politikës, është një veprim i shëmtuar dhe i neveritshëm; është një veprim që e sheh veten më legjitim se ligji. SPAK rezistoi dhe kundërshtoi. Ai i ka rezistuar deri më tani sulmeve të politikës dhe është e qartë se ka themele ligjore, morale, por edhe të pushtetit të forta e të mjaftueshme për të rezistuar.
Më shumë këto janë veprime të kryera në kushte të humbjes së qartësisë, të nxitura nga iluzioni se ende koha e tyre nuk ka përfunduar, se ajo kohë mund të ndalet ose, edhe më shumë, të kthehet pas. Por gjërat kanë logjikën dhe ciklin e tyre



